
Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri ka denoncuar aksionin e Policisë së Shtetit për bllokimin e monopatinave dhe motorëve elektrikë, duke e quajtur atë të paligjshëm.
Ai ishtë në një nga pikat e ruajtjes duke treguar me video mënyrën dhe vendin krejt të papërshtatshëm të ruajtur ndërsa theksoi se mjetet elektrike të blera nga qytetarët shqiptarë po shkatërrohen e dëmi kap vlerën e miliona eurove.
“Kam ardhur këtu në një nga pikat e sekuestrimit. Janë me mijëra monopatina të cilat i sjellin këtu në mjedis të hapur dhe jashtë kushteve normale. Ato po shkatërrohen dhe po dalin jashtë përdorimit dhe bëhet fjalë për një dëm prej milion eurosh. Siç e shihni, thjesht janë marrë, janë lënë këtu dhe ndërkohë qindra e qindra të rinj nuk kanë pasur mundësinë që të vijnë t’i tërheqin dhe t’i marrin. Atyre u kërkohet fatura e blerjes së monopatinës dhe procesverbali i ndalimit. Dhe shumë prej tyre nuk e kanë ruajtur faturën, sepse nuk e mendonin që krejt pa ligj, Policia e Shtetit do t’i bllokonte dhe do t’ua rrëmbente monopatinën. Ka edhe nga ata të rinj të cilët e kanë kuptuar që do e kenë pasur shumë të vështirë për ta gjetur monopatinën e tyre dhe disa kanë shkruar edhe emrat mbi monopatinën. Janë thjesht justifikime. Bëet fjalë për 10 mijë të rinj afërsisht që i përdorin në Tiranë.” – tha Kapri.
Ai shtoi më tej se aksioni i policisë ishte në shkelje të ligjit, ka penalizuar mijëra të rinj ndërsa tha se ka depozituar prej një muaji e gjysmë projektligjin që do mundësonte qarkullimin e mjeteve elektrike në rrugë.
Ky aksioni që mori Policia e Shtetit ishte totalisht në shkelje të ligjit. Ua morën monopatinat, ua sollën në këto pika ku degradohen dhe nuk po i japin zgjidhje ende qarkullimit të tyre. Unë e kam bërë gati ligjin dhe e kam dorëzuar prej gati një muaji e gjysmë në parlament dhe pres që të nisë shqyrtimi. Ajo që kërkoj është që të zbatohet praktika njësoj si në vendet e Evropës. Kërkohet që monopatinat të mos ecin më shumë se 25 kilometra në orë, të ketë kaskën e sigurisë dhe të ecë në të njëjtën vend që ecën edhe biçikleta. Është e pafalshme në Shqipërinë e 2026-ës të mos lejosh të rinjtë të qarkullojnë me monopatina në rrugët e Tiranës dhe në çdo qytet tjetër.” – tha Kapri.