Vendosni fjalën kyçe....

Për herë të parë në Shqipëri, numri i makinave e kalon 1 milion më 2025


Në Shqipëri, në fund të vitit 2025 qarkullonin në vend mbi 1 milion mjete rrugore, duke shënuar një rekord historik. Nga këto, 847 mijë ishin autovetura.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e katërt 2025, numri i mjeteve rrugore në qarkullim në territorin e Shqipërisë ishte 1.048.092. Ndër to, autoveturat përbëjnë 80,8% të mjeteve gjithsej, të ndjekura nga motorët me 6,1% dhe automjetet për transport të përzier me 5,8%.

Tirana zë peshën më të madhe me 34,7 % të mjeteve gjithsej, ndjekur nga Durrësi me 13,6%.

Ndërkohë, Gjirokastra dhe Kukësi kanë numrin më të ulët të mjeteve, përkatësisht me 2,1% dhe 2,4%.

Gjatë këtij tremujori janë regjistruar për herë të parë 24.854 mjete, nga të cilat 81,2% ishin autovetura. Sërish, qarku i Tiranës udhëheq me 40,3% të regjistrimeve të reja.

Ndryshimet krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024:

-Numri total i mjeteve është rritur me 9,3%.

-Regjistrimet e reja kanë shënuar rritje prej 8,5%.

Sipas INSTAT, Në mjetet e regjistruara për herë të parë, Volkswagen mban vendin e parë me 18,6 %, e ndjekur nga Mercedes Benz me 17,5%.

Në Shqipëri, numri i automjeteve për 1 000 banorë është rritur në 358, nga më pak se 200 që ishte disa vjet më parë.

Megjithatë, ky nivel mbetet nën mesataren europiane prej 550 autovetura për 1 000 banorë sipas Eurostat dhe ndër më të ulëtat në Europë, duke ia kaluar vetëm Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor