
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kërkuar tërheqjen nga tregu të qumështit formulë për fëmijë Aptamil 1 Pronutra.
Sipas AKU-së, nga kontrollet në Gjermani, ka dalë se në qumështin në fjalë janë gjetur përbërës toksikë.
AKU-ja u kërkon qytetarëve që e kanë blerë, ta kthejnë atë në pikat e shitjes.
Në një njoftim, biznesi distributor i shpërndarjes së produktit në treg, njofton qytetarët që kanë blerë qumësht Aptamil, të mos e përdorin atë dhe ta kthejnë në pikat e shitjes duke u rimbursuar.
Njoftimi i AKU-së
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon opinionin publik mbi njoftimin me numër reference 2026.0663 të ardhur nga Sistemi RASFF. Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prani e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus në formulë për infant. Të dhënat e produktit:
Emri i produktit: APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED; Numri i artikullit 172911; Data e Skadencës: 10/11/2026
Trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu. AKU i bën thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje, ta kthejnë atë në pikat e shitjes. Siguria Ushqimore – Sfida Jonë e Përbashkët.”
