
Kërkesa e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku mbetet ende pa u shqyrtuar nga Kuvendi. Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e parashikuar të mbahej sot në orën 12:00, u shty pa një afat të ri.
Sipas njoftimit zyrtar, shtyrja u bë pasi disa deputetë kërkuan që shqyrtimi i kërkesës së SPAK të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi argumenton se kjo bëhet për të garantuar një proces vendimmarrjeje të plotë dhe në përputhje me parimet kushtetuese.
“Në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës, nenit 13, pika 5, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, si dhe duke marrë në konsideratë se në mbledhjen e parë të Këshillit, të zhvilluar më datë 19.12.2025, deputetë anëtarë të këtij këshilli kanë kërkuar që shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “për dhënie e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese, me qëllim shmangien e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe garantimin e rregullsisë kushtetuese të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Kuvendit”, njoftoi Kuvendi.