
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i bëri thirrje Iranit të mërkurën që të ulet në tryezë dhe të arrijë një marrëveshje për armët bërthamore, duke paralajmëruar se në të kundërt sulmi i radhës amerikan do ishte shumë më i rëndë.
Nga ana tjetër, Teherani u përgjigj se nëse kjo ndodh, do kundërpërgjigjet si kurrë më parë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump u shpreh se shpreson që Irani të negociojë shpejt një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë që përjashton armët bërthamore, duke theksuar se koha po mbaron.
Presidenti republikan, i cili u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 gjatë mandatit të tij të parë, vuri në dukje se paralajmërimi i tij i fundit u pasua nga një sulm ushtarak në qershor, ndaj bëri thirrje që kjo të mos përsëritet.
Trump përsëriti gjithashtu se një “armatë” amerikane, e kryesuar nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln dhe anijet shoqëruese, është nisur drejt Iranit. Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara reagoi duke kujtuar dështimet e kaluara të SHBA-së në Afganistan dhe Irak, ku u shpenzuan trilionë dollarë dhe u humbën mijëra jetë amerikanësh.
Përmes një postimi në platformën X, misioni deklaroi se Irani është gati për dialog bazuar në respektin e ndërsjellë, por nëse detyrohet, do mbrohet dhe do përgjigjet me një forcë të paparë. Ndërkohë, media shtetërore raportoi se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, mohoi të ketë pasur kontakte me të dërguarin special amerikan, Steve Witkoff.
Tensionet mes dy vendeve u rritën ndjeshëm pas shtypjes së përgjakshme të protestave në Iran javët e fundit. Trump ka kërcënuar vazhdimisht me ndërhyrje nëse vrasja e protestuesve vijon, ndonëse demonstratat mbarëkombëtare për shkak të varfërisë ekonomike dhe shtypjes politike tashmë janë zbutur, shkruan Reuters.
Ai ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara do veprojnë nëse Teherani rifillon programin e tij bërthamor, pas sulmeve ajrore të kryera në qershor nga forcat izraelite dhe amerikane mbi instalimet kryesore bërthamore iraniane.