
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sot nga jashtë Kuvendit lidhur me ndryshimet e propozuara në Kodin Penal për dekriminalizimin e shpifjes, veçanërisht sa i përket trajtimit të gazetarëve.
Tabaku deklaroi se Komisioni Evropian e përjashton qartë mundësinë e arrestimit të gazetarëve për çështje shpifjeje, duke theksuar se dënimi me burg nuk duhet të jetë pjesë e legjislacionit për këto raste. Sipas saj, propozimi i sjellë nga qeveria në Kuvend nuk sjell asnjë përmirësim real dhe nuk do të ketë efekt në zbatim.
“Komisioni Europian sugjeron që burgu duhet të përjashtohet për rastet e shpifjes. Qeveria është angazhuar në Bruksel se këto masa do të adresohen në Kodin e ri Penal. Me propozimet e sotme nuk arrihet asgjë. Madje, pas gjashtë muajsh është thënë se këto nene nuk do të ekzistojnë më”, u shpreh Tabaku.
Ajo i bëri thirrje mazhorancës që procesi të zhvillohet në interes të qytetarëve dhe jo për arsye politike, duke theksuar se miratimi i ligjeve pa efekt praktik është i panevojshëm.
“Ky proces duhet të bëhet për qytetarët shqiptarë dhe jo për politikën, sepse askujt nuk i duhet një ligj i miratuar kot”, përfundoi deputetja e PD-së.