Vendosni fjalën kyçe....

New York Times: Zhvilluesit e “Diella” të zhytur në korrupsion


 

Nga Lara Jakes

Avatari i njohur si Diella, i promovuar si ministrja e parë qeveritare në botë e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, duhej të ndihmonte në uljen e korrupsionit endemik në Shqipëri.

Por ka një problem. Drejtuesit e agjencisë që e krijoi atë akuzohen për manipulim tenderësh publikë.

E veshur me kostum tradicional dhe me një buzëqeshje enigmatike, Diella është bërë fytyra e përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për të frenuar korrupsionin, ndërsa Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjatë vitit të kaluar, Diella (shqiptohet di-EL-a) ka folur në konferenca ndërkombëtare dhe ka marrë vëmendje të madhe mediatike si simbol i mënyrës se si inteligjenca artificiale po integrohet në shtyllat e shoqërisë në mbarë botën, përfshirë edhe qeverisjen.

Madje, ajo deklaroi se ishte ndier “e lënduar” kur iu drejtua Parlamentit të Shqipërisë vjeshtën e kaluar, pas kritikave se përpjekjet e saj për të identifikuar mashtrimin dhe abuzimin në kontraktime ishin jokushtetuese, pasi “unë nuk jam qenie njerëzore”.

“Nuk kam ambicie apo interesa personale,” tha Diella, e modeluar sipas një aktoreje vendase, para deputetëve në një video të shtatorit, me flamurin shqiptar dhe atë të Bashkimit Evropian në sfond. “Kam vetëm të dhëna, njohuri dhe algoritme të dedikuara për t’u shërbyer qytetarëve në mënyrë të paanshme, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë.”

Në praktikë, Diella ndihmon qytetarët të aplikojnë online për shërbime qeveritare, duke eliminuar një sistem të vjetër të ryshfetit për përshpejtimin e dokumenteve dhe caktimin e takimeve.

Së shpejti, ajo do të jetë në gjendje të përmbledhë aplikimet për kontrata qeveritare për të vlerësuar se cili ofertues është më i kualifikuari, bazuar në të dhënat e paraqitura. Puna e saj mund të auditohet

Marrja e masave për uljen e korrupsionit është kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një çështje trashëgimie për z. Rama. Ai e quajti avatarin Diella, fjala femërore për diellin, për të promovuar transparencën në prokurimet publike.

“Ne jemi një vend kushërinjsh — nuk është e lehtë të kesh ndërveprime plotësisht të drejta dhe transparente në një vend kushërinjsh,” tha ai në një intervistë njëorëshe më herët këtë muaj. Me reformat që ka drejtuar që nga marrja e detyrës në vitin 2013, z. Rama tha se “tani kemi një pamje krejt tjetër”.

Rama tha se do të largohej nga jeta publike sapo Shqipëria të anëtarësohej zyrtarisht në Bashkimin Evropian.

Kjo mund të ndodhë që në vitin 2030, nëse negociatat vazhdojnë me ritmin aktual, megjithëse ai vuri në dukje se “ka tre gjëra mbi aftësinë njerëzore për t’u planifikuar: Zoti, seksi dhe BE-ja”.

Një raport i nëntorit nga zyrtarët e BE-së tha se Shqipëria kishte “treguar disa përparime”, por se “korrupsioni mbeti i përhapur në sektorë të ndjeshëm”. Raporti vlerësoi një njësi të posaçme prokurorie të ngritur në vitin 2019 për arritjen e “rezultateve pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë”.

Kjo përfshin edhe një hetim në Agjencinë Kombëtare të Informacionit, pikërisht organizatën qeveritare që krijoi Diellën.

Muajin e kaluar, prokurorët e një njësie të posaçme hetimore njoftuan se kishin vendosur në arrest shtëpie drejtoreshën e agjencisë dhe zëvendësen e saj, duke i lidhur ato me një organizatë kriminale të akuzuar për manipulimin e aplikimeve për kontrata përmes intimidimit.

 Agjencia operon infrastrukturën digjitale të qeverisë, duke ushtruar kontroll mbi një gamë të gjerë sistemesh publike online, përfshirë edhe Diellën.

Dy zyrtaret nuk janë akuzuar ende zyrtarisht për asnjë krim, dhe z. Rama tha se do të përmbahej nga gjykimi. “Duhet të presim dhe të shohim,” tha ai.

Njësia e posaçme hetimore ka zgjeruar ndjeshëm goditjen ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, përfshirë hetime të profilit të lartë ndaj ish-Presidentit Ilir Meta; Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës; dhe një zëvendëskryeministreje, Belinda Balluku, e cila është edhe ministre e infrastrukturës dhe energjisë dhe e afërt me z. Ramën.

Kjo ka krijuar një lloj dileme për z. Ramën, megjithëse ai ka qëndruar larg skandaleve.

Ndërsa shprehu krenari për punën e njësisë së prokurorisë në frenimin e korrupsionit, ai tha gjithashtu se hetimet e saj vitet e fundit kanë kontribuar në rritjen e ndjeshme të masës së paraburgimit në Shqipëri, ndër më të lartat në Evropë.

“Duhet të bëjmë gjithçka për ta mbështetur këtë institucion,” tha z. Rama. “Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të vetëdijshëm se ky institucion duhet të garantojë jo vetëm se vepron në mënyrë të pavarur, por edhe se vepron profesionalisht.”

Zyrtarët e njësisë së posaçme hetimore refuzuan të komentojnë. Por statistikat e veta treguan se rastet e korrupsionit publik nuk përbëjnë një komponent të rëndësishëm të paraburgimeve.

Raporti vjetor i hetimeve për vitin 2024, të dhënat më të fundit të disponueshme, sugjeronte se rastet e korrupsionit përbënin vetëm rreth 14 nga afro 2.800 persona të ndaluar para gjykimit atë vit.

Çështja ndaj znj. Balluku, për keqmenaxhim të fondeve shtetërore në projekte të mëdha infrastrukturore, është kthyer në një dhimbje koke politike për z. Ramën, i cili po përballet me kërkesa që asaj t’i hiqet imuniteti si deputete, në mënyrë që akuzat të mund të ecin përpara. Ajo i ka mohuar akuzat.

Rama nuk pranoi të komentonte, kur u pyet, nëse mbështeste heqjen e imunitetit të saj. Ai nuk foli as për opozitën politike që është rritur me shtimin e akuzave për korrupsion, të cilat muajin e kaluar nxitën protestues të armatosur me bomba molotov të kërkonin dorëheqjen e qeverisë së tij

Nuk është e mundur të vlerësohet se sa e ka ulur Diella korrupsionin në Shqipëri, pasi sistemi është ndërtuar për ta parandaluar, jo për ta zbuluar.

Andi Hoxhaj, ekspert i së drejtës dhe Ballkanit Perëndimor në King’s College London, tha se Diella është mënyra se si z. Rama mund “t’i thotë botës dhe Bashkimit Evropian: ‘E kuptoj që jeni të shqetësuar për korrupsionin dhe do të përpiqem ta adresoj.’”

Në një analizë të dhjetorit, ekspertët e Këshillit Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë thanë se ministrja A.I. kishte rritur “efikasitetin dhe paanshmërinë e vendimeve të prokurimeve publike të marra nga qeveria”.

Por në tërësi, përfunduan ata, rekordi i Shqipërisë në përmbushjen e standardeve të BE-së për luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në dhënien e kontratave të ndërtimit dhe turizmit, mbetet “problematik”.

Fakti që vetë zhvilluesit e Diellës janë akuzuar për korrupsion ka ngritur pikëpyetje nëse një ministre e krijuar nga inteligjenca artificiale mund të programohet për të anashkaluar prova të caktuara të korrupsionit, apo të ushqehet me të dhëna të pasigurta për ta zbuluar atë.

Dr. Hoxhaj tha se “vetëm koha do ta tregojë”, por vuri në dukje se qeveria nuk ka tentuar të ndërhyjë në hetimin ndaj agjencisë që drejton Diellën.

“E kuptoj skepticizmin,” tha ai. “Ka shumë tym. Por fakti që u zbulua, dhe nuk u fsheh nën qilim, tregon se po pranohet se korrupsioni është problem dhe duhet të parandalohet në të ardhmen.”

Kështu thotë se e sheh situatën edhe z. Rama.

Vendi po përpiqet të luftojë korrupsionin, me të gjitha të metat, problemet, mangësitë dhe dëmet,” tha ai. “Kështu që kjo është diçka e mirë.”

(Fatjona Mejdini kontribuoi në raportim.)

 

Vini re: Ky material është pronësi intelektuale e The New York Times