
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me shumicë votash kalendarin e ri të punimeve, pas një propozimi për ndryshimin e rendit të ditës. Ishte kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ai i cili kërkoi heqjen e katër projektligjeve nga axhenda, kërkesë e cila mori mbështetjen e nevojshme.
Gjatë seancës, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, hodhi në votim rendin e ditës, i cili u miratua me 79 vota pro dhe asnjë kundër.
Megjithatë, procesi u shoqërua me debate. Gazment Bardhi reagoi menjëherë pas votimit, duke kërkuar që nga kalendari i punimeve të hiqen edhe disa projektligje të tjera, duke shprehur rezervat e opozitës mbi rendin e përcaktuar.