
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë të hënën se njëra kërkesë zyrtare për nisje të Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara lidhet me energjinë, ndërsa tjetra është politike.
“Njëra kërkesë është e lidhur me energjinë, tjetra ka natyrë më politike”, ka thënë Vuçiç më 26 janar për televizionin Blic, me seli në Beograd.
Ai nuk ka dhënë më shumë hollësi për kërkesat. Presidenti serb i ka përmendur fillimisht kërkesat pesë ditë më parë, pas një takimi që ka zhvilluar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Sipas tij, Serbisë i janë bërë dy kërkesa zyrtare për ta nisur Dialogun Strategjik me SHBA-në. Prej atëherë, as Beogradi dhe as Uashingtoni nuk janë deklaruar më tepër në këtë drejtim.
Presidenca dhe Qeveria e Serbisë, ashtu sikurse Departamenti amerikan i Shtetit, nuk u janë përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të kuptuar më shumë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Nju Jork, 23 shtator 2025.
Dialogu Strategjik, të cilin Shtetet e Bashkuara e zhvillojnë me disa shtete në botë synon thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe mbulon një mori fushash – nga ekonomia deri te siguria dhe politika e jashtme.
Uashingtoni e konsideron luftimin e ndikimit kinez dhe rus, si njërin prej interesave kryesore në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Vuçiq ka thënë se kërkesat nuk janë diskutuar në një takim të jashtëzakonshëm të Qeverisë Serbe më 25 janar. Sipas tij, për kërkesat do të diskutohet në ditët në vijim.
Ulja e varësisë së Ballkanit nga energjia ruse ka qenë njëra prej synimeve të përmendura edhe në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së, të miratuar në dhjetor të vitit të kaluar.
Në të njëjtën ligj përmendet që duhet zvogëluar edhe ndikimi kinez.
Shtetet e Bashkuara e shohin me shumë rëndësi edhe përparimin në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Aty përmendet që SHBA-ja do ta përkrahë procesin drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, të bazuar në njohjen reciproke.
Sa i përket Dialogut Strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë, për të fillimisht është folur në gusht të vitit 2025, mirëpo ai nuk ka nisur ende.
Dialogu Strategjik ishte planifikuar të niste edhe mes Kosovës dhe SHBA-së, mirëpo autoritetet amerikane e pezulluan atë në shtator të vitit të kaluar për një kohë të pacaktuar, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.
Dialogu ishte planifikuar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike. E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.
Vuçiç: Aksionet ruse në NIS prekin vlerën e 1 miliard eurove
Presidenti i Serbisë ka thënë se aksionet ruse në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) të cilat pritet të blihen nga kompania hungareze MOL, kapin vlerën e 900 milionë – 1 miliard eurove.
Ai ka thënë se Serbia ka qenë e gatshme të paguajë dyfishin e asaj shume.
“I kemi pasur paratë gati, të paguajmë dy miliardë euro. Të paguajmë edhe më shumë sesa aq”, ka përsëritur Vuçiç për Blic.
Industria e Naftës e Serbisë është nën sanksione amerikane prej fillimit të vitit 2025 për shkak se një numër i madh i aksioneve janë në duart ruse.
Autoritetet në Beograd mëtojnë ta ndryshojnë këtë situatë, pas arritjes së një marrëveshjeje për shitjen e aksioneve ruse të NIS-it te MOL-i hungarez.
Vuçiç ka thënë se ai lehtësisht ia sqaron vetes pse aksionet ruse në NIS nuk i janë ofruar Serbisë, mirëpo nuk dëshiron të flasë publikisht, sepse nuk dëshiron t’i rrezikojë interesat e shtetit.
“Për mua, arsyet janë të qarta, të kuptueshme, mirëpo a janë të pranueshme, ajo është punë tjetër”, ka thënë ai.
I pyetur se çfarë marrëdhëniesh ka tani Serbia me Rusinë, Vuçiq ka thënë se ato janë “të mira.
Serbia vazhdon të ketë bashkëpunim të ngushtë me Rusinë, pavarësisht thirrjeve të Perëndimit për të vendosur sanksione ndaj Kremlinit për nisjen e luftës në Ukrainë./REL