
Të paktën 104 të burgosur politikë janë liruar të dielën në Venezuelë, sipas organizatës për të drejtat e njeriut Foro Penal, cituar nga DW. Lirimet vijnë mes presionit të shtuar nga Shtetet e Bashkuara, pas rrëmbimit dhe largimit të ish-udhëheqësit Nicolas Maduro nga forcat amerikane më herët gjatë këtij muaji.
Shumica e të liruarve janë kundërshtarë të Maduro-s, të cilët ishin arrestuar gjatë protestave kundër fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2024 – zgjedhje që u konsideruan gjerësisht si të manipuluara.
“Ne kemi identifikuar 104 lirime të të burgosurve politikë në Venezuelë sot,” deklaroi drejtori i Foro Penal, Alfredo Romero, në një postim në rrjetin social X. Ai shtoi se organizata po vazhdon verifikimin e lirimeve të tjera dhe theksoi se do të ishte e dëshirueshme që qeveria të publikonte lista zyrtare me emrat e të liruarve.
Pas kapjes së Maduro-s në fillim të janarit, qeveria e përkohshme e drejtuar nga Delcy Rodríguez ka premtuar lirimin e një “numri të konsiderueshëm” kundërshtarësh politikë të burgosur. Vëllai i saj, Jorge Rodríguez, kryetar i Asamblesë Kombëtare, e ka cilësuar këtë hap si një gjest vullneti të mirë për hir të “bashkëjetesës paqësore”.
Sipas të dhënave të Foro Penal, deri më 19 janar në Venezuelë ndodheshin ende 777 të burgosur politikë. Organizata thotë se që nga 8 janari janë liruar gjithsej 143 persona.
Autoritetet në Karakas pretendojnë se që nga dhjetori janë liruar 626 të burgosur, por Foro Penal ka konfirmuar vetëm rreth gjysmën e këtij numri. Opozita dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë kritikuar procesin, duke e cilësuar si të ngadaltë dhe jo transparent.