Vendosni fjalën kyçe....

Filipine, 15 të vdekur dhe 28 të zhdukur pas fundosjes së tragetit me mbi 300 pasagjerë


 

Të paktën 15 persona humbën jetën sot herët pasi një traget që mbante më shumë se 300 pasagjerë u fundos pranë provincës Basilan në jug të Filipineve, transmeton Anadolu.

Sipas të përditshmes lokale angleze “Philstar”, bëhet e ditur se 28 persona të tjerë rezultojnë të zhdukur. Anija e identifikuar si M/V Trisha Kerstin 3, thuhet se po lundronte për në ishullin Jolo në provincën Sulu.

Zyrtarët e Rojës Bregdetare të Filipineve (PCG) thanë se 316 persona janë shpëtuar ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit të mbështetura nga anije dhe helikopterë të marinës janë duke vazhduar.

Anija lëshoi ​​një sinjal rreziku rreth orës 1:50 të mëngjesit, katër orë pasi u nis nga porti i qytetit Zamboanga në majën jugperëndimore të Mindanao. Raportet fillestare thonë se anija mbante më shumë se 330 pasagjerë dhe 27 anëtarë të ekuipazhit kur u fundos në ujërat pranë ishullit Baluk-Baluk, Basilan.

Pamjet e publikuara nga Roja bregdetare tregojnë të mbijetuarit që nxirren nga uji dhe marrin ndihmë mjekësore. Të mbijetuarit gjithashtu mund të dëgjohen duke bërtitur për ndihmë në errësirë.

Autoritetet kanë urdhëruar një hetim për aksidentet detare për të përcaktuar shkakun e aksidentit. Nuk është parë derdhje nafte nga anija.

Filipinet, të përbëra nga 7.000 ishuj, kanë një histori të gjatë aksidentesh vdekjeprurëse me traget për shkak të varkave dhe anijeve të lira dhe jo të mirëmbajtura mirë