Vendosni fjalën kyçe....

Aksident tragjik në Gramsh/ Kamioni bie në humnerë, një viktimë dhe dy të plagosur rëndë


Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar këtë të hënë në aksin Kabash–Poroçan të Bashkisë Gramsh, pranë fshatit Bardhaj, ku një mjet tip kamionçinë ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë.

Sipas informacioneve paraprake, në mjet udhëtonin tre persona. Si pasojë e aksidentit, një grua ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa dy personat e tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.

Burime nga shërbimet mjekësore bëjnë me dije se viktima është identifikuar si Dëshira Hoxha, ndërsa e plagosura Albana Boja është transportuar në gjendje kritike drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Drejtuesi i mjetit ndodhet gjithashtu në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po merr trajtim në spitalin e Gramshit.

Mësohet se drejtuesi i mjetit, edhe pse i plagosur, ka arritur të komunikojë me shërbimet e emergjencës dhe të njoftojë për gjendjen e personave të tjerë pas aksidentit.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe shërbimet e emergjencës, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e të plagosurve nga mjeti.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit, ndërsa paraprakisht dyshohet se kushtet e vështira të rrugës dhe terreni i thyer mund të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit.