Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky: Dokumenti për garancitë e sigurisë nga SHBA-ja 100% gati


Dokumenti i SHBA-së për garancitë e sigurisë për Ukrainën është plotësisht gati dhe Kievi po pret kohën dhe vendin për nënshkrimin e tij, deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky të dielën. Ai la të kuptohet se bisedimet e fundjavës me Rusinë në Abu Dabi kanë shënuar progres.

“Për ne, garancitë e sigurisë janë para së gjithash garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara. Dokumenti është 100% gati dhe ne po presim që partnerët tanë të konfirmojnë datën dhe vendin kur do ta nënshkruajmë atë,” tha Zelensky në një konferencë shtypi gjatë vizitës së tij në Vilnius, kryeqyteti i Lituanisë.

“Dokumenti do dërgohet më pas për ratifikim në Kongresin e SHBA-së dhe në parlamentin e Ukrainës,” shtoi ai.

Të premten dhe të shtunën, negociatorët ukrainas dhe rusë mbajtën takimin e tyre të parë trepalësh, duke përfshirë ndërmjetësit amerikanë në Abu Dabi, për të diskutuar kornizën e Uashingtonit për përfundimin e luftës gati katërvjeçare, por nuk u arrit asnjë marrëveshje përfundimtare.

Megjithatë, si Moska ashtu edhe Kievi deklaruan se janë të hapur për dialog të mëtejshëm. Diskutime të tjera priten të dielën e ardhshme në Abu Dabi, sipas një zyrtari amerikan, shkruan Reuters.

“Në Abu Dabi po diskutohet plani amerikan prej 20 pikash dhe çështjet problematike. Kishte shumë çështje problematike, por tani ka më pak,” tha Zelensky.

Ai theksoi se Moska dëshiron të bëjë gjithçka që është e mundur që Ukraina të braktisë rajonet lindore, të cilat Rusia nuk ka mundur t’i pushtojë që nga fillimi i invazionit në shkallë të gjerë. Por Kievi, tha ai, nuk ka lëvizur nga pozicioni i tij se integriteti territorial i Ukrainës duhet të ruhet.