
Pentagoni do t’u ofrojë aleatëve të Shteteve të Bashkuara një mbështetje “më të kufizuar”, sipas Strategjisë së re Kombëtare të Mbrojtjes, e cila shënon një ndryshim të rëndësishëm në prioritetet e sigurisë amerikane.
Në dokumentin e ri, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes e vendos sigurinë e territorit të SHBA-së dhe të Hemisferës Perëndimore si shqetësimin kryesor strategjik, duke lënë në plan të dytë Kinën, e cila në strategjitë e mëparshme, të publikuara çdo katër vjet, ishte cilësuar si kërcënimi kryesor për mbrojtjen amerikane. Marrëdhëniet me Kinën, thuhet në raport, do të trajtohen tani përmes “forcës, jo përballjes”.
Strategjia e re e mbrojtjes përforcon thirrjet e fundit të Presidentit Donald Trump për një “ndarje më të drejtë të barrës” nga ana e aleatëve, veçanërisht në përballjen me kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe Koreja e Veriut, përcjell BBC.
Raporti 34-faqësh vjen pas publikimit, vitin e kaluar, të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së, e cila paralajmëronte për një “kolaps civilizues” të Evropës dhe nuk e përshkruante Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë, Moska deklaroi se dokumenti ishte “kryesisht në përputhje” me vizionin e saj.
Në kontrast me këtë qasje, në vitin 2018 Pentagoni i kishte cilësuar “fuqitë revizioniste”, si Kina dhe Rusia, si “sfidën qendrore” për sigurinë amerikane.
Strategjia e re u bën thirrje aleatëve amerikanë të marrin më shumë përgjegjësi, duke theksuar se partnerët kanë qenë “të kënaqur” t’ia lënë Uashingtonit barrën e financimit të mbrojtjes së tyre. Megjithatë, dokumenti mohon se kjo qasje përbën një kthesë drejt “izolacionizmit”.
“Përkundrazi, kjo nënkupton një qasje të përqendruar dhe vërtet strategjike ndaj kërcënimeve me të cilat përballet kombi ynë”, thuhet në raport.
Sipas dokumentit, Uashingtoni ka neglizhuar për një kohë të gjatë “interesat konkrete” të qytetarëve amerikanë, duke shtuar se SHBA nuk dëshiron t’i barazojë interesat e saj me ato të pjesës tjetër të botës, apo të konsiderojë se “një kërcënim ndaj një personi në anën tjetër të globit është i njëjtë me një kërcënim ndaj një amerikani”.
Në këtë kuadër, strategjia parashikon që aleatët, veçanërisht vendet evropiane, “të marrin drejtimin” në përballjen me kërcënime që për Shtetet e Bashkuara janë më pak të rënda, por që për ta janë më serioze.
Rusia, e cila nisi pushtimin e plotë të Ukrainës gati katër vjet më parë, përshkruhet në dokument si një “kërcënim i vazhdueshëm, por i menaxhueshëm për anëtarët lindorë të NATO-s”.