Vendosni fjalën kyçe....

Starmer i cilëson “fyese dhe të papranueshme” komentet e Trump për trupat e NATO-s në Afganistan


Kryeministri britanik Keir Starmer ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për trupat e NATO-s në Afganistan, duke i quajtur ato “fyese dhe sinqerisht të papranueshme”.

Në një prononcim publik, Starmer theksoi se një gjuhë e tillë cenon sakrificat e ushtarëve britanikë dhe familjeve të tyre.

“Nëse unë do të isha shprehur gabimisht në atë mënyrë, ose do t’i kisha thënë ato fjalë, do të kërkoja patjetër ndjesë”, u shpreh Starmer, duke lënë të kuptohet se presidenti amerikan duhet të bëjë të njëjtën gjë, përcjell BBC.

Komentet e Trump kanë shkaktuar zemërim të gjerë në Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht mes veteranëve të luftës dhe spektrit politik. Udhëheqës të partive të ndryshme kanë reaguar duke mbrojtur rolin dhe sakrificat e forcave britanike në misionin në Afganistan.

Mbretëria e Bashkuar ishte ndër aleatët kryesorë që iu bashkua Shteteve të Bashkuara në Afganistan nga viti 2001, pasi NATO aktivizoi nenin e sigurisë kolektive pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Gjatë këtij konflikti, 457 ushtarakë britanikë humbën jetën.

Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi komentet e presidentit, theksoi kontributin e Shteteve të Bashkuara në NATO, duke deklaruar se këto përpjekje po “ndihmojnë Evropën të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj”.