
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ndodhet në Stamboll, ku merr pjesë në Takimin e Dytë të Ministrave të Jashtëm të Platformës për Paqe Ballkanike, me ftesë të homologut të saj turk, Hakan Fidan.
Platforma për Paqe Ballkanike është një iniciativë e Ministrit të Jashtëm të Turqisë dhe synon zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal në fusha me interes të përbashkët, përfshirë ndërlidhjen infrastrukturore, sigurinë energjetike, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe çështjet e mbrojtjes.
Përpara takimit të nivelit të lartë, ministrja Spiropali u prit në një takim të veçantë nga ministri Hakan Fidan, ku u diskutua për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Gjatë takimit, Spiropali theksoi se partneriteti strategjik mes dy vendeve po njeh një zhvillim të vazhdueshëm dhe se ky bashkëpunim pritet të marrë një tjetër dimension me mbajtjen e takimit të tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial mes Shqipërisë dhe Turqisë gjatë këtij viti. Ajo nënvizoi gjithashtu se organizimi i Samitit të NATO-s këtë vit në Ankara dhe vitin e ardhshëm në Tiranë përbën një mundësi të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike në rajon dhe më gjerë, të dy ministrat vlerësuan rëndësinë e rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
Gjatë vizitës në Turqi, ministrja Spiropali pritet të zhvillojë gjithashtu një takim me Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.