Vendosni fjalën kyçe....

Greqia do mbajë të njëjtin qëndrim si BE-ja për Bordin e Paqes së Trump


Greqia do ndjekë udhëzimet e Bashkimit Evropian për të vendosur nëse do t’i bashkohet nismës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, “Bordi i Paqes”, që synon zgjidhjen e konflikteve globale, deklaroi ministri i Jashtëm, George Gerapetritis.

Ai tha se aktualisht duket se BE-ja do mbajë “pothuajse universalisht” një qëndrim për të mos iu bashkuar nismës së Trump-it.

“Me kusht që ky qëndrim të jetë i njëzëshëm, atëherë është e qartë se Greqia do veprojë në mënyrë korresponduese,” tha ai në një intervistë të mërkurën vonë për Action 24 TV.

“Pa anashkaluar realitetin, ashtu siç po formësohet, Greqia do ndjekë një qëndrim parimor dhe do qëndrojë krah partnerëve të saj evropianë,” tha ai.

Gerapetritis shtoi se ishte “në parim, domethënëse” që Greqia ishte në mesin e një “numri relativisht të vogël” të vendeve evropiane që morën ftesën e Trump-it, shkruan Kathimerini.

Nisma e Trump-it fillimisht u lidh me përfundimin e luftës në Gaza, por ai më vonë tha se fushëveprimi i saj do zgjerohej për të përfshirë konflikte të tjera. Kritikët kanë shprehur frikën se ajo mund të bjerë ndesh me rolin e Kombeve të Bashkuara. Hungaria është i vetmi anëtar i BE-së që ka pranuar ftesën për t’u bashkuar.

Gerapetritis tha gjithashtu se deri tani nuk është caktuar asnjë datë për takimin e parashikuar muajin e ardhshëm në Ankara midis kryeministrit Mitsotakis dhe presidentit turk Erdogan. Ai tha se ka shumë të ngjarë që takimi të mbahet në dyjavëshin e parë të shkurtit.