
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u mblodhën në Bruksel për të diskutuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pas një jave të tensionuar diplomatike, gjatë së cilës presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me vendosjen e tarifave shtesë ndaj vendeve evropiane, për të ushtruar presion mbi çështjen e Groenlandës, përpara se të tërhiqej nga kjo ide, përcjell Euronews.
Pas përfundimit të samitit, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se Bashkimi Evropian do të mbrojë interesat, qytetarët dhe bizneset e tij “kundër çdo forme shtrëngimi” dhe se do të përdorë instrumentet që ka në dispozicion “kur dhe nëse do të jetë e nevojshme”.
Costa e cilësoi pozitive tërheqjen e Trump nga kërcënimi për tarifa, duke theksuar se BE do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive me SHBA-në në fushat me interes të përbashkët, por pa hezituar të “qëndrojë e fortë” për mbrojtjen e interesave të veta.
Gjatë takimit, liderët evropianë diskutuan gjithashtu nismën e Trump për krijimin e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes” për Gazën. Sipas Costës, janë shprehur dyshime serioze mbi përputhshmërinë e kësaj nisme me Kartën e Kombeve të Bashkuara, si dhe mbi mandatin dhe mënyrën e qeverisjes së saj.
Ndërkohë, Franca, Italia dhe Suedia, vende që kanë marrë ftesë nga Trump për t’u bashkuar me këtë Bord, kanë sinjalizuar se nuk do të marrin pjesë, duke përmendur shqetësime ligjore dhe politike lidhur me këtë iniciativë.