Vendosni fjalën kyçe....

Amazon planifikon mijëra shkurtime të reja në administratë javën e ardhshme



Amazon po përgatitet për një raund të dytë shkurtimesh në vendet e punës javën e ardhshme, si pjesë e planit për të reduktuar rreth 30 mijë pozicione administrative, raportoi Reuters duke cituar burime të njohura me çështjen.

Sipas burimeve, kompania ka shkurtime në plan që mund të nisin që të martën dhe pritet të jenë pothuajse në të njëjtin nivel me ato të tetorit të vitit të kaluar, kur u eliminuan rreth 14 mijë vende pune në administratë. Ky numër përfaqëson afërsisht gjysmën e objektivit total të shpallur më herët.

Shkurtimet pritet të prekin disa nga njësitë kryesore të kompanisë, përfshirë Amazon Web Services (AWS), shitjen me pakicë, Prime Video dhe departamentin e burimeve njerëzore, i njohur si People Experience and Technology. Megjithatë, burimet theksojnë se detajet finale mund të ndryshojnë. Një zëdhënës i Amazon refuzoi të komentojë.

Në raundin e mëparshëm të shkurtimeve, kompania i lidhi vendimet me rritjen e përdorimit të inteligjencës artificiale, duke theksuar se kjo teknologji po transformon mënyrën e funksionimit të biznesit. Por më vonë, drejtori ekzekutiv Andy Jassy sqaroi se shkurtimet nuk ishin të diktuara nga arsye financiare apo drejtpërdrejt nga AI, por nga kultura e brendshme e kompanisë dhe nivelet e larta të burokracisë.

Jassy ka deklaruar gjithashtu se në afatgjatë, përdorimi i inteligjencës artificiale pritet të çojë në tkurrjen graduale të fuqisë punëtore administrative të Amazon, për shkak të rritjes së efikasitetit operacional.