
Ka nisur sot seanca plenare në Kuvend ku deputetët po diskutojnë dhe votojnë projektligjin për ratifikimin e ftesës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që Shqipëria të bëhet pjesë e Bordit të Paqes.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi këtë një moment historik dhe pa precedent për vendin:
“Sot nuk po votojmë për një parti. Nuk po votojmë për një mazhorancë apo opozitë. Sot po votojmë për Shqipërinë dhe për rolin që ajo zgjedh të luajë në botë,” tha Balla gjatë fjalës së tij.
Balla theksoi se pjesëmarrja e Shqipërisë si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes shënon kalimin nga statusi i vendit periferik në një rol aktiv në zgjidhjen e konflikteve globale dhe nxitjen e paqes. Ai gjithashtu nënvizoi se ftesa është një njohje ndërkombëtare për besueshmërinë dhe konsistencën e politikës së jashtme shqiptare dhe një përgjegjësi shtetërore për vendin.
Kuvendi po shqyrton ratifikimin e Kartës së Bordit të Paqes, një organizëm ndërkombëtar që synon sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe zbatimin e drejtësisë ndërkombëtare, ku pjesëmarrja e anëtarëve është vullnetare dhe sovraniteti i shteteve mbetet i paprekur.
Seanca pritet të përfundojë me votimin e projektligjit, që do të konfirmojë Shqipërinë si një aktor aktiv në proceset ndërkombëtare për paqe.