
Mbahet sot në Gjykatën Kushtetuese seanca lidhur me masën e sigurisë “pezullim nga ushtrimi i detyrës publike”, të vendosur ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00 dhe zhvillohet pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama, i cili kundërshton vendimin e pezullimit, duke pretenduar se gjykata ka tejkaluar kompetencat kushtetuese dhe ka cenuar autoritetin e tij si kryeministër.
Më herët, Rama është shprehur se nëse pezullimi i një ministri nga prokuroria dhe gjykata do të legjitimohej si praktikë e zakonshme, kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm. Sipas tij, një veprim i tillë do të sillte shtrirjen e pushtetit gjyqësor përtej kufijve ndarës me ekzekutivin, duke hapur rrugë për presione politike, destabilizim institucional dhe manipulim të qeverisë përmes proceseve penale.
Kreu i qeverisë e ka cilësuar ankimin në Gjykatën Kushtetuese si një betejë për mbrojtjen e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv dhe të kompetencave të kryeministrit.
Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin e Ballukut nga detyra, ndalimin e udhëtimit jashtë vendit dhe bllokimin e pasaportës, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Sipas prokurorisë, Balluku dyshohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë rreth 210 milionë euro, në bashkëpunim me vartësit e saj Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompani të caktuara. Hetimi përfshin gjithashtu dyshime për shkelje të barazisë në tendera edhe në projektin e Unazës së Madhe.
Belinda Balluku iu bashkua kabinetit qeveritar në vitin 2019 si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe prej më shumë se pesë vitesh ka drejtuar një nga portofolët më të rëndësishëm të qeverisë.