
Negociatat për të ardhmen e Groenlandës janë shtuar ditët e fundit, duke u përqendruar në propozime që synojnë forcimin e pranisë së NATO-s në Arktik, dhënien e një statusi sovran Shteteve të Bashkuara mbi zona të caktuara të territorit groenlandez dhe bllokimin e aktorëve rivalë, veçanërisht Rusisë dhe Kinës, nga shfrytëzimi i burimeve minerare të ishullit.
Sipas tetë zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe diplomatësh perëndimorë, këto ide përbëjnë panoramën më të qartë deri tani të një kompromisi të mundshëm, të cilin presidenti amerikan Donald Trump e përmendi publikisht të mërkurën pa dhënë hollësi. Njoftimi i tij duket se ka ulur përkohësisht tensionet e një krize transatlantike të krijuar nga kërkesat amerikane mbi territorin danez.
Megjithatë, propozimet në fjalë nuk shkojnë deri te objektivi i deklaruar i Trump për transferimin e plotë të sovranitetit të Groenlandës nga Danimarka te SHBA-ja. Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve, theksuan se shumë elemente mbeten ende të paqarta dhe të papërfunduara.
E ardhmja e negociatave mbetet e pasigurt. Danimarka ka kundërshtuar publikisht çdo ide që nënkupton dorëzimin e territorit Groenlandez dhe mund të refuzojë planet e diskutuara. Sidoqoftë, burimet diplomatike shprehen optimiste se propozimet mund të adresojnë njëkohësisht shqetësimet e Trump për sigurinë e Arktikut përballë Rusisë dhe Kinës, pa shkelur “vijën e kuqe” evropiane se Groenlanda nuk është në shitje.

Çfarë parashikojnë propozimet
Sipas burimeve, paketat në diskutim përfshijnë disa elemente kyçe:
Një mision i ri i NATO-s në Arktik, i quajtur paraprakisht “Arctic Sentry”, i ngjashëm me misionet ekzistuese të aleancës në Detin Baltik dhe Evropën Lindore, me synim frenimin e agresionit rus.
Përditësimin e marrëveshjes Danimarkë-SHBA të vitit 1951, e cila i jep ushtrisë amerikane qasje të gjerë në Groenlandë për ndërtimin dhe operimin e bazave ushtarake. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësime se kjo qasje mund të rrezikohet në rast se Groenlanda fiton pavarësinë. Një marrëveshje e re do të krijonte në praktikë “xhepa” territori amerikan në ishull.
Modelin e “zonave të bazave sovrane”, të ngjashëm me bazat britanike në Qipro, ku bazat konsiderohen territor sovran i vendit përdorues. Kjo do t’i jepte SHBA-së kontroll më të madh sesa ai që ushtron aktualisht mbi bazat dhe objektet diplomatike jashtë vendit. Trump dhe zyrtarë të tjerë kanë përmendur rëndësinë strategjike të Groenlandës për plane të mundshme të mbrojtjes raketore, përfshirë sistemin e quajtur “Golden Dome”.
Kufizime për vendet jashtë NATO-s, veçanërisht Rusinë dhe Kinën, për të mos marrë të drejta mbi nxjerrjen e mineraleve të rralla që ndodhen nën akullin e Groenlandës.

Reagime dhe vijat e kuqe
Këto ide janë diskutuar brenda NATO-s gjatë vitit të fundit si përgjigje ndaj ambicieve të shpallura të Trump. Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025, presidenti amerikan ka intensifikuar retorikën për marrjen e kontrollit mbi Groenlandën, ndërsa Danimarka ka këmbëngulur se ishulli nuk është për shitje.
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi se është i hapur për diskutime të shumta, por jo për sovranitetin. “Sovraniteti është një vijë e kuqe,” theksoi ai.
Edhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen, ndonëse nuk iu përgjigj drejtpërdrejt kërkesave për koment, pranoi publikisht se siguria, investimet dhe ekonomia mund të negociohen, por jo sovraniteti territorial.
Nga ana e NATO-s, zyrtarët ushtarakë kanë theksuar se procesi ndodhet ende në fazë fillestare. Admirali Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, tha se po punohet vetëm për një kornizë të përgjithshme sigurie për Arktikun. Ndërsa komandanti suprem i NATO-s në Evropë, gjenerali Alexus G. Grynkewich, konfirmoi se ende nuk ka udhëzime politike konkrete për veprim.
Lehtësim në Evropë pas uljes së tensioneve
Pavarësisht pasigurive, në kryeqytetet evropiane u ndje një lehtësim i kujdesshëm pas sinjaleve se kriza po zbutet. Në Davos, Trump përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake për marrjen e Groenlandës, por paralajmëroi për masa ekonomike ndaj aleatëve. Më pas, ai njoftoi papritur arritjen e një marrëveshjeje me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe anuloi tarifat e planifikuara ndaj Danimarkës dhe disa vendeve evropiane.
Udhëheqësit evropianë e mirëpritën zhvillimin. Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Evropa do të mbrojë Danimarkën dhe Groenlandën nga kërcënimi rus, duke theksuar se bisedimet duhet të respektojnë parimet themelore të sovranitetit dhe integritetit territorial.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani