
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë një sfidë të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të qëndrojë në zyrë ditën e shtunë, më 24 janar, kur opozita ka thirrur protestën kombëtare para Kryeministrisë.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha e akuzoi Ramën se po vepron si avokat i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për ta shpëtuar nga arrestimi pas akuzave të ngritura nga SPAK për korrupsion me tenderat.
“Merr vetëm faktin, ku e ke tani Edi Ramën, ku është në këtë moment? Po bën avokatin e Lubisë në gjykatë,” u shpreh Berisha, duke shtuar se kryeministri po lë mënjanë qeverisjen për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij.
Ai përmendi edhe dosjen e AKSHI-t, duke akuzuar qeverinë për presion ndaj biznesit.
“Merr faktin, merr vetëm dosjen e AKSHI-t, ku me urdhër të Surrelit merren peng biznesmenë që guxojnë të marrin pjesë në garë,” tha kreu i PD-së.
Në fjalën e tij, Berisha kërkoi që Rama të mos shmanget nga protesta e 24 janarit.
“Në mënyrë absolute, data 24, ju që jeni këtu shkoni e thoni: po je burrë, qëndro në zyrë. Rri në zyrë dhe prite popullin që po vjen. Shkoni dhe ju me të,” deklaroi ai.
Berisha kritikoi edhe qëndrimet e Ramës në raport me rajonin, duke e akuzuar se mban qëndrime më të afërta me presidentin serb sesa me institucionet e Kosovës.
“Deklaron se merrem vesh shumë mirë me Vuçiçin, por nuk merrem vesh dot me kryeministrin e Kosovës, vetëm sepse ai nuk u bindet urdhrave të Vuçiçit,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, mazhoranca po mbron figura të përfshira në afera korrupsioni për shkak se edhe vetë deputetët e saj ndihen të përfshirë.
“Kur shkojnë në shtëpi, i presin dhe u thonë: çfarë bëtë ju për Lubi Ballukun, na e nxinë fytyrën. Edhe këta kanë dorë vetë, prandaj edhe e mbrojnë,” tha Berisha.
Në përfundim, kreu i Partisë Demokratike theksoi se protesta e 24 janarit do të jetë një përballje e drejtpërdrejtë mes qeverisë dhe qytetarëve, duke nënvizuar se, sipas tij, kryeministri nuk mund t’i shmanget reagimit popullor.