
Humbja e një kafshe shtëpiake mund të jetë po aq e dhimbshme dhe e qëndrueshme sa humbja e një personi të afërt, tregon një studim i ri nga Mbretëria e Bashkuar, cituar nga Euronews.
Sipas hulumtimit të publikuar në revistën shkencore PLOS One, disa pronarë kafshësh zhvillojnë çrregullimin e pikëllimit të zgjatur (Prolonged Grief Disorder – PGD) pas vdekjes së kafshës së tyre, një gjendje serioze e shëndetit mendor që mund të zgjasë me muaj ose edhe me vite.
Aktualisht, PGD diagnostikohet vetëm pas humbjes së një njeriu, por autori i studimit kërkon që udhëzimet klinike të zgjerohen edhe për humbjen e kafshëve shtëpiake, duke argumentuar se ndikimi psikologjik është i krahasueshëm.
Çrregullimi i pikëllimit të zgjatur karakterizohet nga mall i fortë për të ndjerin, dëshpërim i thellë, mpirje emocionale, vështirësi në socializim dhe probleme në përballimin e aktiviteteve të përditshme. Disa persona raportojnë edhe ndjesinë se “një pjesë e vetes ka vdekur”.
Studimi përfshiu 975 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar dhe zbuloi se pothuajse një në tre kishte përjetuar humbjen e një kafshe shtëpiake. Nga këta, 7.5% plotësonin kriteret diagnostikuese për PGD, një përqindje e ngjashme me ata që kishin humbur një mik të ngushtë (7.8%).
Shkallë pak më të larta u vunë re pas humbjes së gjyshërve, vëllezërve apo partnerëve, ndërsa vetëm humbja e prindërve dhe e fëmijëve shoqërohej me nivele dukshëm më të larta pikëllimi të zgjatur.
Sipas studimit, pak më shumë se një në pesë persona që kishin humbur si një kafshë shtëpiake ashtu edhe një njeri të afërt, deklaruan se humbja e kafshës ishte përjetimi më i dhimbshëm.
Në total, studiuesit vlerësojnë se një në 12 raste të çrregullimit të pikëllimit të zgjatur në Mbretërinë e Bashkuar lidhet me vdekjen e një kafshe shtëpiake.
Autori i studimit, Philip Hyland, profesor i psikologjisë në Universitetin Maynooth në Irlandë, theksoi se pikëllimi pas humbjes së një kafshe është “klinikisht i rëndësishëm” dhe pasqyron në mënyrë të qartë përjetimin e humbjes njerëzore.
Sipas tij, përjashtimi i humbjes së kafshëve nga kriteret diagnostikuese mund t’i lërë disa persona pa mbështetjen e nevojshme psikologjike, edhe kur ata përmbushin të gjitha kriteret e tjera për diagnozë.