Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk po shkon në drejtimin e duhur” – Trump kritikon Evropën në Davos


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se Evropa po ndjek një kurs të gabuar dhe se disa pjesë të saj “nuk janë më të njohshme”, duke shprehur shqetësim për drejtimin politik, ekonomik dhe shoqëror të kontinentit.

Gjatë fjalimit të tij, Trump vuri në kontrast situatën evropiane me atë që ai e përshkroi si një rritje ekonomike historike në SHBA.

“Miqtë e mi kthehen nga vende të ndryshme të Evropës dhe thonë: nuk e njoh më atë vend – dhe jo në kuptimin pozitiv,” tha ai.

“Unë e dua Evropën, por ajo nuk po shkon në drejtimin e duhur.”

Deklaratat u bënë në një klimë tensionesh diplomatike, pasi liderë evropianë dhe aleatë të SHBA-së kanë kritikuar qasjen e Trump lidhur me Grenlandën, për të cilën ai ka kërkuar negociata “të menjëhershme”. Në Davos, presidenti amerikan u përpoq të zbusë shqetësimet duke përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake.

Trump theksoi se administrata e tij mbetet e përkushtuar ndaj marrëdhënieve transatlantike, por kërkoi që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi në çështje kyçe.

“Energjia, tregtia, emigracioni dhe rritja ekonomike duhet të jenë prioritete për këdo që dëshiron një Perëndim të fortë dhe të bashkuar,” tha ai.

Ai kritikoi ashpër politikat e dekadës së fundit në disa vende evropiane, duke i quajtur ato vetëshkatërruese.

“Ata duhet të dalin nga kultura që kanë krijuar. Ajo që po i bëjnë vetes është e tmerrshme. Po shkatërrojnë vende të bukura,” u shpreh Trump.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara nuk duan aleatë të dobësuar, por një Evropë të fortë, duke nënvizuar se këto zhvillime lidhen drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe me çështje strategjike, përfshirë edhe situatën rreth Groenlandës, shkruan CNBC.