Vendosni fjalën kyçe....

Ish-kryeministri i Koresë së Jugut dënohet me 23 vite burg për përfshirje në shpalljen e ligjit ushtarak



Një gjykatë në Korenë e Jugut dënoi të mërkurën ish-kryeministrin Han Duck-soo me 23 vite burg, nën akuzat për përfshirje në veprime kryengritëse, të lidhura me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga ish-presidenti Yoon Suk Yeol në dhjetor të vitit 2024, përcjell DW.

Gjykata Qendrore e Seulit vlerësoi se Han kishte rol kyç në krijimin e “pamjes formale” të një mbledhjeje qeverie, e cila u përdor për të justifikuar shpalljen e ligjit ushtarak. Një nga gjyqtarët e cilësoi këtë proces si një “kryengritje nga lart-poshtë”.

Sipas vendimit, Han, ndonëse kishte legjitimitet dhe përgjegjësi demokratike si kryeministër, zgjodhi të mbyllte sytë dhe të merrte pjesë aktive në ngjarjet e 3 dhjetorit. Gjykata theksoi se veprimet e tij rrezikuan seriozisht rendin demokratik dhe të drejtat themelore të qytetarëve, duke e kthyer vendin drejt praktikave autoritare të së kaluarës.

Përveç akuzës për kryengritje, Han u shpall fajtor edhe për dëshmi të rreme dhe falsifikim dokumentesh zyrtare. Ai ka mohuar të gjitha akuzat, përveç një pjese të atyre që lidhen me dëshminë e rreme. Pas shpalljes së vendimit, ish-kryeministri 76-vjeçar u arrestua menjëherë.

Vendimi i gjykatës është i apelueshëm dhe pritet që çështja të shkojë deri në Gjykatën e Lartë.

Një javë më parë, edhe ish-presidenti Yoon Suk Yeol u dënua me pesë vite burg në vendimin e parë që lidhet me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ai ishte shkarkuar nga detyra pas protestave masive dhe akuzohet për tentativa për minimin e rendit demokratik. Proceset e tjera ndaj tij janë ende në vijim, përfshirë edhe akuzën më të rëndë për rebelim.