Vendosni fjalën kyçe....

Gazetari jep alarmin, mijëra pilotë kinezë stërviten çdo vit në SHBA, mes shqetësimeve për sigurinë kombëtare


Mijëra pilotë kinezë po stërviten çdo vit në Shtetet e Bashkuara, kryesisht në Kaliforni dhe Arizona, duke përfituar nga sistemi amerikan i trajnimit civil të aviacionit përpara se të kthehen dhe të shërbejnë në ushtrinë e Kinës. Këtë pretendim e ngre autori hulumtues Peter Schweizer në librin e tij më të fundit, ku paralajmëron se Pekini po shfrytëzon “hapjen dhe bujarinë” e SHBA-së për të forcuar aftësitë e veta ushtarake.

Në librin “Grushti i padukshëm i shtetit: Si elitat amerikane dhe fuqitë e huaja përdorin emigracionin si armë”, Schweizer argumenton se Partia Komuniste e Kinës (PKK) ka ndërtuar në heshtje një sistem për të stërvitur pilotë të ardhshëm ushtarakë në territorin amerikan, shpesh të paraqitur si studentë civilë dhe me mbikëqyrje të pakët.

Sipas autorit, Kina përballet me mungesë të theksuar pilotësh. Ndërsa nevojiten rreth 5,000 pilotë të rinj çdo vit për sektorin civil dhe ushtarak, kapacitetet e brendshme të vendit lejojnë stërvitjen e vetëm rreth 1,200 pilotëve në vit, për shkak të kontrollit të rreptë të hapësirës ajrore. Si zgjidhje, Pekini ka orientuar mijëra kadetë drejt shkollave amerikane të fluturimit.

Schweizer pohon se të paktën 16 shkolla fluturimi në SHBA, që operojnë nga aeroporte të financuara nga taksapaguesit, po stërvitin kadetë kinezë, në disa raste pa u zbuluar lidhjet e tyre të mundshme me ushtrinë kineze. Kjo, sipas tij, vlen edhe për pilotët e helikopterëve, të cilët hyjnë në SHBA me viza studentore dhe përfitojnë nga kontrolle të kufizuara.

Një nga institucionet e përmendura është “Sierra Academy of Aeronautics” në Atwater, Kaliforni, ku shumica e studentëve janë shtetas kinezë. Autori thekson se kjo nuk është rastësi, duke përmendur lidhje të drejtuesve të akademisë me interesa kineze dhe plane të mëparshme për projekte logjistike që përfshinin financime nga Kina përmes programit EB-5.

Dokumente të cituara në libër sugjerojnë se Sierra Academy bashkëpunon me subjekte kineze të lidhura me industrinë aeronautike dhe rrjete talentesh të integruara me kontraktorë ushtarakë. Sipas Schweizer, kjo krijon një “linjë furnizimi” pilotësh që, në një skenar konflikti, mund të përballen drejtpërdrejt me forcat amerikane.

Shqetësime të ngjashme ngrihen edhe në Arizona, ku kompania “AeroGuard”, pranë Phoenix-it, ka nënshkruar marrëveshje për stërvitjen e qindra pilotëve për linja ajrore të lidhura me shtetin kinez. Një marrëveshje e tillë u miratua në vitin 2022 nga autoritetet amerikane, me mbështetje politike lokale.

Banorë dhe komentues lokalë kanë shprehur shqetësim për këtë praktikë, duke vënë në pikëpyetje arsyen pse SHBA duhet të stërvitë pilotë që një ditë mund të konsiderohen kundërshtarë ushtarakë.

Libri i Schweizer paraqet këto raste si pjesë të një strategjie më të gjerë të Pekinit për të përfituar nga sistemet perëndimore, duke ngritur pyetje serioze mbi sigurinë kombëtare dhe kontrollin e programeve të trajnimit të aviacionit në Shtetet e Bashkuara, shkruan Breitbart.