
Manjati amerikan i teknologjisë, Elon Musk, ka lënë të kuptohet se mund të blejë kompaninë ajrore Ryanair, pas një përplasjeje publike me shefin ekzekutiv të saj, Michael O’Leary, përcjell DW.
Të hënën në mbrëmje, Musk publikoi një sondazh në rrjetin social X, platformë që ai zotëron, duke pyetur ndjekësit nëse duhet të blejë Ryanair dhe “ta rikthejë Ryan-in si sundimtarin e saj të ligjshëm”. Në votim morën pjesë mbi 900 mijë përdorues, ku shumica u shprehën pro idesë. Ryanair nuk ka reaguar ende zyrtarisht ndaj këtij sondazhi.
Ideja e Musk vjen pas një përplasjeje të hapur me O’Leary lidhur me përdorimin e internetit në avionë. Në një intervistë për radion irlandeze Newstalk, O’Leary refuzoi përdorimin e sistemit satelitor Starlink të Musk për Wi-Fi në fluturime, duke argumentuar se instalimi i antenave ajrore do t’i kushtonte kompanisë rreth 250 milionë dollarë në vit dhe do të rriste konsumin e karburantit për shkak të rezistencës në ajër.
Sipas O’Leary-t, pasagjerët e Ryanair nuk do të ishin të gatshëm të paguanin për shërbimin e internetit gjatë fluturimit. Ai gjithashtu minimizoi njohuritë e Musk për aviacionin, duke deklaruar se “ajo që Elon Musk di për fluturimet dhe rezistencën ajrore është zero”.
Debati u përshkallëzua shpejt në një shkëmbim publik fyerjesh, ku O’Leary e quajti Musk “idiot”, ndërsa ky i fundit reagoi duke e cilësuar shefin e Ryanair “një idiot të vërtetë” dhe madje kërkoi largimin e tij nga drejtimi i kompanisë.
Elon Musk njihet për deklarata provokuese dhe oferta jo gjithmonë serioze në rrjetet sociale. Megjithatë, blerja e platformës X (ish-Twitter) nisi pikërisht me një ofertë surprizë që më pas u konkretizua.
Aktualisht, kapitalizimi i tregut i Ryanair vlerësohet në rreth 35 miliardë dollarë, duke e bërë çdo ide për blerje një lëvizje me peshë të madhe financiare.