
Për dekada, Shqipëria bëri hapa para në rritjen e eksporteve duke përmirësuar bilancin e saj tregtar dhe varësinë nga importet, por në tre vitet e fundit, situata ka ndryshuar në të kundërt. Treguesi i mbulimit të importeve me eksport shënoi 39% në vitin 2025, niveli më i ulët në 14 vite sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Pas vitit 2022, vërehet një përkeqësim i shpejtë i raportit, çka tregon një zgjerim të fortë të deficitit tregtar, ku importet po rriten ndjeshëm më shpejt se eksportet, teksa eksportet po humbasin konkurrueshmërinë (shiko grafikun e mëposhtëm).
Vitin e kaluar eksportet shënuan 346,2 miliardë lekë më rënie vjetore mbi 6 për qind. Nga ana tjetër importet shënuan 887,2 miliardë lekë më rënie vjetore vetëm 0.8%. Rënia më e madhe e eksporteve sesa importit ka përkeqësuar raportin e mbulimit.
Në mungesë të prodhimit nga rënia e sektorëve të bujqësisë dhe turizmit, ekonomia e vendit po rrit varësinë nga importet. Nga ana tjetër, rritja e kërkesës nga turizmi po shoqërohet me rritje më të shpejtë të importeve se sa prodhimit.
Eksportet tona mbeten të përqendruara në pak sektorë me vlerë të shtuar të ulët ose të paqëndrueshme, si fasoneria, lëndët e para minerare dhe energjia elektrike, të cilat varen fort nga ciklet ndërkombëtare dhe kushtet klimatike. Kjo po i bën eksportet të paqëndrueshme dhe të paafta për të ndjekur ritmin e rritjes së importeve në periudha zgjerimi ekonomik.
Forcimi i lekut në vitet e fundit ka ulur vlerën në lekë të eksporteve dhe njëkohësisht ka bërë importet relativisht më të lira, duke penalizuar konkurrueshmërinë e eksporteve dhe duke nxitur më tej importet.
Të dhënat historike tregojnë se gjatë dekadës së fundit ecuria e eksporteve ka qenë e paqëndrueshme. Që nga viti 2015, shitjet jashtë vendit kanë rënë për 7 vite (2015, 2016, 2019, 2020, 2023, 2024, 2025) dhe janë rritur vetëm në 2017-2018 dhe 2021-2022, kur ishte rikuperimi nga pandemia.
Tendenca e eksporteve përkon dhe më rënien e euros, që ka nisur që nga viti 2015, kur monedha e përbashkët këmbehej me gati 140 lekë, duke rënë gradualisht çdo vit, për të zbritur për herë të parë në histori poshtë 100 lekëve në gusht 2024 dhe duke ndenjur poshtë këtij niveli dhe në 2025-n, duke u mbyllur me një mesatare vjetore prej 97.8 lekë, me një nënçmim prej gati 30%.
Sektorët prodhues të vendit kanë hyrë në një cikël krize të zgjatur duke zbehur perspektivën e eksporteve edhe në vitin në vijim./ B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor
