
Një aksident me pasojë vdekjen është shënuar këtë të martë në Belsh, ku një e moshuar ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rrenas.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, një i ri 20-vjeçar, me inicialet K. I., dyshohet se ka aksidentuar me automjetin që drejtonte shtetasen Rr. T., 73 vjeçe, e cila po lëvizte këmbësore.
E moshuara është transportuar me urgjencë në spital, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.
“Belsh/Në fshatin Rrenas, shtetasi K. I., 20 vjeç, dyshohet se ka aksidentuar me automjetin që drejtonte shtetasen Rr. T., 73 vjeçe, këmbësore, e cila si pasojë ka humbur jetën në spital. Me drejtuesin e automjetit po kryhen veprimet procedurale. Ndërkaq, grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të aksidentit”, njofton policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.