
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X lidhur me seancën e zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar procesin si “farsën më të shëmtuar të imagjinueshme”, që sipas tij po imponohet nga dy shoqata gjyqtarësh.
Rama shprehet se kërkesa për rritjen e pagave të gjyqtarëve përmes gjykimit përbën shkelje të piramidës shtetërore të pagave dhe një tejkalim të kompetencave kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit.
“Këta duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri”, shkruan kryeministri.
Sipas tij, kërkesa synon që gjyqtarëve t’u njihet një e drejtë e përhershme për të rritur automatikisht pagat sa herë rriten pagat e kategorive të tjera, duke e kthyer Shqipërinë në një rast unik negativ.
“Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se çdokush tjetër”, thekson Rama.
Ai e cilëson këtë situatë si një “skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues”, duke shprehur shpresën që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë një vendim të tillë.
“Uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar”, shkruan ai.
Në fund të reagimit, kryeministri vlerëson qëndrimin e Prokurorisë së Posaçme.
“Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit”, përfundon Rama.