
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Noka u ka kërkuar degëve të partisë në rrethe që të përditësojnë listat e anëtarësisë.
Masa ishte njoftuar pak ditë më parë nga kreu Berisha në një takim me demokratët e Lezhës. Përditësimi përfshin spastrimin e të gjithë atyre që sipas drejtuesve të PD-së kanë punuar kundër partisë në fushatat zgjedhore. Procesi duhet të përfundojë brenda 20 shkurtit 2026.
“Nuk do konsiderohen anëtarë të Partisë Demokratike:
Ata që kanë punuar kundër interesave të Partisë Demokratike në fushatat zgjedhore, duke u angazhuar në forma të ndryshme pro kundërshtarëve tanë politikë;
ata që me qëndrimet e tyre publike dhe politike kanë vepruar kundër vijës politike të Partisë Demokratike
Ata që kanë bashkuar votat/qëndrimet me kundërshtarët tanë politikë për çështje shumë të rëndësishme në nivelin vendor apo qendror.”
Baza e të dhënave mbi të cilat do të punojë grupi i punës janë të dhënat e anëtarësisë të pasuruar me pjesëmarrjen në proceset zgjedhore nga viti 2021 dhe përfshin gjithë proceset zgjedhore nga Kuvendi i Rithemelimit të Berishës më 18 dhjetor 2021, deri më sot, duke përjashtuar primaret me simpatizantët.
“Të gjithë emrat në bazën e të dhënave do të identifikohen, verifikohen dhe kontaktohen një për një nga Grupi i Punës. Procesi i kontaktimit do të ndihmojë në rifreskimin e të dhënave të anëtarit. Më pas anëtarët do të pajisen me kartën e anëtarësisë”, thuhet në udhëzim, shkruan Shqiptarja.
Procesi vjen pas përlasjeve në distancë mes drejtuesve të PD-së dhe ish-deputetit Ervin Salianji, i cili ka nisur një bashkëbisedim me demokratët në rrethe.
Ndërsa Berisha ka thënë se Salianji ka agjendë private dhe se ai është vetëpërjashtuar pasi ka bashkëpunuar me krimin, Salianji është kundërpërgjigjur duke thënë se statuti i PD-së nuk njeh vetëpërjashtim, se nuk ka agjendë private dhe se do punojë për ringritjen e PD-së dhe rikthimin e saj në parti fituese.
