Vendosni fjalën kyçe....

Operacion ndërkombëtar antidrogë — 9 të arrestuar, mes tyre 8 shqiptarë, në Itali dhe disa vende të BE-së



Policia italiane ka ekzekutuar në orët e para të mëngjesit një urdhër paraburgimi paraprak ndaj nëntë personave, tetë me origjinë shqiptare dhe një italian, të dyshuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Urdhri u lëshua nga Gjykatësi i Hetimeve Paraprake në Gjykatën e Bolonjës, me kërkesë të Drejtorisë Antimafia të Distriktit të Bolonjës. Operacioni u realizua nga Skuadra Fluturuese e Policisë së Reggio Emilia-s, në bashkëpunim me Shërbimin Qendror të Operacioneve të Policisë Italiane dhe me mbështetjen e Interpol-it, në koordinim të ngushtë me autoritetet shqiptare.

Arrestime dhe kontrolle janë kryer në disa provinca italiane, përfshirë Reggio Emilia, Bergamo, Brescia dhe Savona, si dhe jashtë Italisë, në Francë, Spanjë dhe Shqipëri. Operacioni, i koduar “STURL ONE”, është vijim i hetimeve të mëparshme “TREXIT 2019” dhe “BLACK MAMBA”, që në vitet 2021–2022 çuan në 35 masa kufizuese.

Sipas hetuesve, një nga grupet kriminale drejtohej nga një shtetas shqiptar me banim në Itali, i cili kishte rol kyç në furnizimin me drogë të rajonit Emilia-Romagna që prej vitit 2018. Organizata dyshohet se importonte kokainë, hashash dhe marihuanë nga Amerika e Jugut, Evropa Veriore dhe Spanja, të fshehura në kamionë me produkte bujqësore, për t’i shpërndarë më pas në të gjithë Italinë.

Të dyshuarit përdornin platformën e koduar SkyECC për komunikim. Analiza e bisedave të përgjuara, të siguruara përmes një Urdhri Hetimor Evropian, ka lejuar identifikimin e roleve dhe dokumentimin e aktivitetit kriminal, duke çuar në ngritjen e 44 akuzave penale. Vetëm gjatë gjashtë muajve monitorim, organizata dyshohet se ka lëvizur mbi 200 kg kokainë dhe rreth 1,000 kg hashash e marihuanë, me përfitime miliona euro.

Në total, 15 persona janë nën hetim. Gjatë operacionit janë kryer dhjetëra kontrolle me angazhimin e rreth 50 efektivëve. Paralelisht, në provincën e Brescias, një shtetas maroken u arrestua në flagrancë me mbi 2 kg marihuanë, 1 kg hashash dhe 5,800 euro cash, nën dyshimin për shpërndarje droge.

Autoritetet italiane e cilësojnë operacionin si një goditje të rëndësishme ndaj rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të drogës dhe një shembull të bashkëpunimit efektiv policor ndërkombëtar, përfshirë edhe Shqipërinë.