
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, deklaroi në Parlamentin Europian se qasja e BE-së ndaj Arktikut duhet të jetë “realiste dhe e udhëhequr nga parimet dhe e drejta ndërkombëtare”, në një kohë kur tensionet gjeopolitike në rajon janë në rritje.
Duke mbrojtur vendet europiane që morën pjesë në misionin zbulues në Groenlandë dhe që tashmë përballen me tarifa 10% të shpallura nga presidenti amerikan Donald Trump, Kallas theksoi se prania europiane nuk përbën kërcënim për askënd.
“Kjo prani synon ta mbajë rajonin të sigurt, të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm. Nuk përbën kërcënim për askënd”, u shpreh ajo.
Kallas ngriti shqetësime për rreziqet “në rritje” që paraqesin Rusia dhe Kina në Arktik, duke theksuar se këto sfida duhet të adresohen në mënyrë të përbashkët mes aleatëve brenda NATO-s, dhe jo përmes përçarjes mes partnerëve.
“Tensionet gjeopolitike dhe konkurrenca gjeoekonomike në Arktik kërkojnë që Bashkimi Europian, së bashku me partnerët, të përgjigjet”, deklaroi ajo.
Sipas Kallas, reagimi europian duhet të jetë i matur dhe i bazuar në parime të qarta. “Përgjigjja jonë duhet të jetë realiste dhe parimore dhe të udhëhiqet nga e drejta ndërkombëtare”, tha ajo, duke shtuar se “asnjë vend nuk ka të drejtë të marrë territorin e një vendi tjetër. Jo në Ukrainë, jo në Groenlandë, jo askund në botë”. Këto fjalë u pritën me duartrokitje në sallën e Parlamentit Europian.
Përfaqësuesja e Lartë bëri të ditur gjithashtu se Bashkimi Europian po punon për përditësimin e strategjisë së tij për Arktikun, me një qasje shumëdimensionale që përfshin zhvillimin e qëndrueshëm, kohezionin social dhe mbrojtjen e mjedisit.
“Siguria nuk lidhet vetëm me praninë ushtarake. Ajo ka të bëjë me besimin, stabilitetin dhe njerëzit”, përfundoi Kallas.