Vendosni fjalën kyçe....

Trump fton Putinin t’i bashkohet “Bordit të Paqes”


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dërguar një ftesë homologut rus Vladimir Putin për t’u bashkuar me një të ashtuquajtur “Bord i Paqes”, i krijuar për të ndërmjetësuar konfliktin në Gazë dhe kriza të tjera gjeopolitike, bëri të ditur të hënën Kremlini.

Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, tha për gazetarët se Moska po “studion të gjitha detajet e ofertës” dhe se “shpreson për diskutime me Uashingtonin për të shqyrtuar të gjitha nuancat”, sipas agjencisë shtetërore RIA Novosti.

Ftesa sinjalizon dëshirën e Trump për të ruajtur marrëdhëniet e ngrohta me Putinin, pavarësisht se pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet përvjetorit të katërt dhe se Moska vijon të refuzojë pa kompromis një plan paqeje të mbështetur nga SHBA.

Nga ana tjetër, edhe Kremlini ka tentuar të mbajë të hapura kanalet me Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht tensioneve të fundit, përfshirë ndalimin nga SHBA të presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe mbështetjen amerikane për protestuesit kundër qeverisë iraniane. Si Venezuela, ashtu edhe Irani konsiderohen aleatë të Rusisë.

Në këtë klimë, Moska ka shmangur kritikat e ashpra ndaj Uashingtonit dhe të hënën ofroi madje vlerësime për Trumpin lidhur me përpjekjet e tij për të marrë nën kontroll Grenlandën.

“Ka ekspertë ndërkombëtarë që mendojnë se në zgjidhjen e çështjes së shtimit të Grenlandës, Trump do të mbetet në histori – jo vetëm në historinë e Shteteve të Bashkuara, por në historinë botërore,” deklaroi Peskov, duke shtuar se është “e vështirë të mos pajtohesh” me këtë vlerësim.

Sipas dokumentit themelues të Bordit të Paqes, Uashingtoni u ka dërguar ftesa dhjetëra krerëve shtetesh dhe qeverish për t’u bashkuar këtij organi, i cili do të kryesohet nga vetë Trump. Anëtarët do të kenë mandate trevjeçare, përveç rasteve kur kontribuojnë me më shumë se 1 miliard dollarë brenda vitit të parë të funksionimit.

Teksti i statutit i jep Trumpit kompetenca të gjera, përfshirë të drejtën e vetos mbi vendimet e bordit dhe “autoritetin ekskluziv” për të krijuar, ndryshuar ose shpërbërë struktura vartëse.

Struktura parashikon një trup këshillimor ku do të bëjnë pjesë ish-kryeministri britanik Sir Tony Blair, drejtuesi i kapitalit privat Marc Rowan dhe dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner. Nën këtë nivel do të funksionojë një bord ekzekutiv i fokusuar posaçërisht në çështjen e Gazës.

SHBA nuk ka bërë të ditur ende se sa vende do të përfaqësohen në Bordin e Paqes. Kazakistani njoftoi të hënën se presidenti Kassym-Jomart Tokayev ka pranuar ftesën, duke iu bashkuar figurave si kryeministri hungarez Viktor Orbán dhe To Lam, kreu i Partisë Komuniste në pushtet në Vietnam, shkruan Financial Times.

Trump ka ftuar gjithashtu presidentin bjellorus Alexander Lukashenko, duke e cilësuar nismën si një “përpjekje historike dhe madhështore për të konsoliduar paqen në Lindjen e Mesme”.

Sipas burimeve, ftesa u janë dërguar edhe vendeve të tjera, përfshirë disa shtete evropiane, Arabinë Saudite, Indinë, Pakistanin, Egjiptin, Kanadanë dhe Paraguain, ndërsa një burim i njohur me çështjen konfirmoi se edhe Izraeli është ftuar.

Ambasada amerikane në Moskë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.