Vendosni fjalën kyçe....

KQZ në Kosovë sot diskuton për procesin e rinumërimit


Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është caktuar çështja e rinumërimit.

Lajmi është bërë i ditur  mëngjesin e së hënës nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Ju njoftoj se sot (e hënë, 19 janar 2026, ora 13:30) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. Në rend dite është raporti nga procesi i rinumërimit të deritashëm të vendvotimeve”, njoftoi Elezi.

Gjithahtu edhe zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se Prokurori i Shtetit ka monitoruar vazhdimisht nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit, Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë rinumërimit brenda subjekteve politike për deputet në rajone të ndryshme të vendit, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që, në komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit, të fillojnë menjëherë grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante për dyshimet mbi kryerjen e veprave penale që lidhen me procesin zgjedhor, shkruan RTK.

Po ashtu, Pula ka kërkuar që edhe në komunat ku procesi i rinumërimit ende nuk ka përfunduar, menjëherë pas përmbylljes së tij, prokuroritë përkatëse të ndërmarrin veprimet e nevojshme për grumbullimin e provave.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka theksuar se Prokurori i Shtetit do të mbetet i angazhuar për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe do të hetojë çdo rast për të cilin ekzistojnë dyshime për keqpërdorim apo falsifikim të votave, në çfarëdo forme dhe nga kushdo qoftë.