
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, mbajti një fjalim para Kryeministrisë gjatë Foltores së radhës, ku lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë dhe veçanërisht ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.
Balliu e cilësoi paraqitjen e Ballukut në seancën e sotme parlamentare si “shenjë arrogante ndaj qytetarëve shqiptarë”, duke pretenduar se ajo “i nënqeshte qytetarëve sikur t’u thoshte se po, ju kam vjedhur qindra milionë euro, kam qindra apartamente dhe nuk largohem, sepse kam me vete Edi Ramën”.
Ai akuzoi mazhorancën se po përpiqet të mbyllë gojën e opozitës dhe të mbrojë atë që e quajti “karteli i Ramës”.
“Sot në parlament pamë se si Belinda Balluku, me arrogancë dhe nënqeshje, i shikonte qytetarët shqiptarë nga ekrani. Ju thoshte në sy: ‘Unë ju vjedh dhe qëndroj këtu; Ramën e kam me vete. Qëndroj me 300 apartamente dhe ju nuk blini dot një shtëpi. Kam qindra milionë euro të vjedhura, sepse në çdo vjedhje kam kapur edhe Ramën’.”- u shpreh Balliu.
Duke akuzuar zyrtarë të tjerë të qeverisë, Balliu u shpreh se çdo tender dhe abuzim kalon me firmën e kryeministrit.
“Të harrojë kushdo se Belinda Balluku vjedh një qindarkë pa Edi Ramën. Nga Spiropali te Balla e të tjerë, askush nuk vjedh dot pa firmën e Ramës.”- tha ai.
Ai vijoi me tone të ashpra, duke folur për atë që e quajti “skemë kriminale të karteleve në AKSHI” dhe për “narko-shtetin që ka kapur institucionet dhe biznesin”.
Sipas tij, “nuk mund të ketë asnjë dialog” me qeverinë aktuale.
Balliu u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen masivisht në protestën e paralajmëruar për 24 janarin, ora 17:00.
“Nëse duam të shpëtojmë të ardhmen e këtij vendi, duhet përballje kudo, në çdo rrugicë dhe çdo institucion.”