
Nga Adrian Thano
Në pamje të parë, fakti që Shqipëria përfshihet në një listë vendesh me kufizime vizash nga Shtetet e Bashkuara dhe në të njëjtën kohë ftohet nga Donald Trump të marrë pjesë në të ashtuquajturin Board of Peace, duket paradoksal.
A mundet që një shtet të jetë aleat politik për SHBA dhe njëkohësisht burim rreziku migrator?
Po. Mundet. Kjo nuk është një kundërshti reale në logjikën e politikës amerikane, që përdor instrumente të ndryshme për qëllime të ndryshme. Ndaj këto dy ngjarje nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.
Nëse do ishte ndryshe, Ftesa do ta zhbënte Listën. Në këtë rast kjo copë letër do ishte vërtetë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë.
Por ja që nuk e zhbën.
Shqipëria ka marrë një ftesë jo sepse ka peshë politike në konfliktin izraelito-palestinez, por pikërisht sepse nuk ka. Nuk ka interesa të pavarura, nuk ka kapacitet për veto, nuk ka ambicie për ndonjë rol autonom, nuk ka histori përplasjesh me linjën amerikane, etj.
Me pak fjalë, është një aktor “i sigurt”. Jo nga forca, nga parashikueshmëria. Ne nuk surprizojmë, nuk kundërshtojmë, nuk negociojmë. Vendimet merren diku tjetër, ne i ndjekim pas, përdoremi si të thuash, për legjitimitet numerik.
Jemi një emër më shumë në një fotografi ku ndoshta do jemi më të gjatët.
Për të mos folur për anën tjetër të kësaj historie. Çdo nismë që flet për “paqen”, ndërkohë që shmang realitetin e vuajtjes palestineze, perceptohet jo pa arsye si projekt neokolonialist.
Një vend i vogël si Shqipëria, me një histori pushtimesh dhe imponimesh nga të mëdhenjtë, do të kishte arsye morale të tregonte kujdes, madje edhe të reflektonte mbi refuzimin e një roli thjesht dekorativ. Jo për të sfiduar fuqitë e mëdha, por për të ruajtur një farë koherence dinjitoze mes historisë së vet dhe pozicionimeve që merr sot.
Mirëpo, shikoni ç’bëhet në Tiranë. Ky tekst i dërguar në dhjetra adresa paraqitet si letër personale dhe sukses i madh historik.
Kurse problemi me Vizat migruese, megjithëse është një kufizim real dhe konkret që prek jo pak qytetarë shqiptarë relativizohet. Banalizohet. Madje qytetarët shqiptarë të prekur nga ky vendim u shpallën “parazitë” (!)
Debati thelbësor duhet të ishte pikërisht për ta. Të sillej rreth pyetjes çfarë duhet të ndryshojë që qytetari shqiptar të mos shihet më si risk migrimi nga vendet e tjerë? Madje çfarë duhet bërë që ai të mos jetë i detyruar të emigrojë hiç.
Këto janë detyra reale të qeverisë, jo retorika e lavdisë boshe.
Pra çështja, nuk është aspak pse SHBA vepron kështu dhe ashtu. Nëse ka një “paradoks” ai nuk është amerikan. Është paradoks shqiptar. Shfryhet Lista dhe fryhet Ftesa. Pse-ja është e qartë.
Ftesa ka ardhur në një moment kur marrëdhëniet reale të qeverisë me SHBA-të janë më të ftohta sesa propaganda zyrtare do të donte të pranonte.
Ka ardhur edhe në një fazë kur hetimet për korrupsion janë në kulmin e tyre dhe SPAK-u, në perceptimin publik, me të drejtë apo pa të, shihet gjerësisht si një strukturë e mbështetur dhe e inkurajuar nga Shtetet e Bashkuara.
Në këtë kontekst, çdo sinjal, qoftë edhe formal, nga Uashingtoni shërben për të ndërtuar një narrativë qetësuese se gjithçka është nën kontroll, se marrëdhënia strategjike mbetet e pacënuar, se nuk ka arsye për shqetësim, etj.
Ndaj Ftesën po e përdorim si bonus të brendshëm, si oksigjen politik.
Kësaj i mbivendoset edhe rrahagjoksi ynë i përhershëm provincial me ftesat e huaja. Ky për dreq nuk ndryshoka kurrë.
As kur lideri ka lindur mes Tirane.