
Mundësia për të punuar jashtë vendit po ndikon gjithnjë e më shumë në ndërtimin e karrierës profesionale në Europë, duke u dhënë punonjësve aftësi dhe përvoja që shpesh nuk do t’i fitonin në vendin e tyre. Falë funksionimit të tregut të përbashkët europian, lëvizshmëria e fuqisë punëtore mbetet relativisht e lartë krahasuar me rajone të tjera të botës, përcjell Euronews.
Sipas të dhënave të platformës së punësimit Indeed, 16.7% e kërkuesve të punës në tregun e përbashkët europian kishin të paktën një përvojë pune jashtë vendit ku jetojnë aktualisht, në fund të vitit 2025. Për krahasim, në Shtetet e Bashkuara vetëm rreth 5.1% e punëtorëve rezultojnë me përvojë ndërkombëtare.
Sipas Sneha Puri, analiste e politikave të migracionit në Indeed, kjo përqindje e lartë në Europë lidhet si me politikat që lehtësojnë lëvizjen ndërkufitare, ashtu edhe me vlerën që i jepet përvojës profesionale jashtë vendit.
Zvicra dhe Irlanda kryesojnë listën
Të dhënat e Indeed, që përfshijnë tetë vende europiane (njëri prej tyre jashtë tregut të përbashkët), tregojnë diferenca të mëdha mes shteteve. Zvicra renditet e para, me 51% të kërkuesve të punës që deklarojnë përvojë pune jashtë vendit. Pas saj vjen Irlanda me 42%.
Sipas Puri, këto dy vende përbëjnë raste të veçanta, pasi ekonomitë relativisht të vogla për nga numri i punëtorëve bëjnë që edhe flukse modeste emigrimi profesional të përkthehen në përqindje të larta.
Gjermania renditet e treta, me rreth 25% të kërkuesve të punës që kanë përvojë ndërkombëtare. Mbi një në pesë kërkues pune me eksperiencë jashtë vendit regjistrohen gjithashtu në Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa Holanda dhe Franca qëndrojnë mbi mesataren e tregut të përbashkët.
Roli i gjeografisë dhe madhësisë së ekonomisë
Sipas Indeed, afërsia gjeografike me disa tregje të mëdha pune është një faktor kyç që nxit lëvizshmërinë. Vendet e rrethuara nga shumë shtete të zhvilluara, si Zvicra, lehtësojnë punësimin ndërkufitar. Po ashtu, prania e kompanive shumëkombëshe dhe numri i studentëve ndërkombëtarë ndikojnë në rritjen e përvojës së huaj të fuqisë punëtore.
Një tjetër faktor i rëndësishëm mbetet madhësia e ekonomisë dhe e tregut të punës, që ndikon drejtpërdrejt në peshën statistikore të punëtorëve me përvojë jashtë vendit.
Kërkimi i punës përtej kufijve
Të dhënat tregojnë se interesimi i kërkuesve të punës europianë për mundësi jashtë vendit është rritur, si brenda tregut të përbashkët ashtu edhe jashtë tij. Deri në mesin e vitit 2024, kërkimet për punë brenda BE-së dhe jashtë saj ishin pothuajse të barabarta, duke luhatur mes 2% dhe 4%.
Megjithatë, që nga dhjetori 2024, interesimi për punë jashtë tregut të përbashkët është rritur ndjeshëm, duke arritur në 7.2% në tetor 2025, ndërsa kërkimet brenda BE-së kanë mbetur në nivelin 5.4%.
Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar janë destinacionet kryesore jashtë BE-së për kërkuesit e punës europianë. Në vitin 2025, ato përbënin përkatësisht 40.5% dhe 30.4% të kërkimeve për punë jashtë tregut të përbashkët, me Gjermaninë si vendin kryesor të origjinës së këtyre kërkimeve.