
Avokati Altin Goxhaj ngriti një javë më parë një sërë akuzash të rënda lidhur me sigurinë ushqimore në vend, duke pretenduar se shëndeti i shqiptarëve po vihet në rrezik nga një sistem i rrënuar kontrolli dhe një proces i falsifikuar raportimi ndaj Bashkimit Europian.
Në një intervistë për Fax News, Goxhaj deklaroi se posedon “prova të padiskutueshme” se pyetësori i Shqipërisë për sigurinë ushqimore, i nevojshëm për procesin e integrimit europian, është falsifikuar nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ekspertë të BE-së.
Goxhaj deklaroi se informacioni i tij vjen “nga burime konfidenciale në Bruksel”, duke shtuar:
“Nga të dhënat që kanë mbledhur, rezulton se Shqipëria është kthyer në vend eksperimental europian për pasigurinë ushqimore. Po kryhet studim shëndetësor mbi popullatën shqiptare, me ushqime të pakontrolluara.”
Ai akuzoi qeverinë dhe ekspertët e BE-së se kanë paraqitur të dhëna të pavërteta për plotësimin e kritereve të sigurisë ushqimore.
“Është mashtruar në formularin e paraqitur nga Shqipëria. Kanë shkatërruar sistemin e kontrollit, kanë fshehur faktet dhe kanë lejuar përdorimin e pesticideve që nuk lejohen në BE.”- tha Goxhaj.
Sipas tij, ky mashtrim ka zgjatur mbi një dekadë.
“Prej 12-13 vitesh jemi në një eksperiment me shëndetin e popullatës. Ka grupe ekspertësh që e dinë shumë mirë se çfarë është bërë dhe e kanë fshehur.”
Një javë pasi Goxhaj ngriti këto akuza, Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, pranoi nivelin problematik të sigurisë ushqimore në vend.
Rama deklaroi se Shqipëria ka ende një mungesë të thellë përputhjeje me standardet e BE-së.
“Ne jemi të paintegrueshëm në Bashkimin Europian për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore. Jemi ende larg kritereve të BE-së. Asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri nuk mund të shitet jashtë vendit.”- u shpreh Rama.
Ai paralajmëroi se në skenarin më të keq, vendi do të detyrohet të importojë pothuajse çdo produkt ushqimor:
“Në skenarin më pesimist, gjithçka që hahet duhet të importohet.”
Kryeministri kërkoi nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për një fazë të ndërmjetme 5-vjeçare.
Pas deklaratave të Ramës, Goxhaj reagoi sërish në Fax News, duke thënë se Kryeministri thjesht konfirmoi publikisht atë që ai kishte denoncuar një javë më herët:
“Rama pranoi se kemi dalë shumë keq me sigurinë ushqimore. Ky është i vetmi denoncim i bërë publikisht këtë javë për shkatërrimin e sistemit të kontrollit.”
Ai iu rikthye akuzave për falsifikimin e pyetësorit:
“Unë kam prova që pyetësori është falsifikuar dhe kjo është bërë bashkë me Ramën dhe me disa zyrtarë të BE-së në Tiranë.”
Goxhaj tha se një grup ekspertësh të Komisionit Europian është sinjalizuar dhe se pritet një reagim për kërkesën që të bëhet transparencë mbi kapitujt dhe faqet e plotësimit për sigurinë ushqimore.
“Një ditë para se të vija në emision, u deklarua me urgjencë se Shqipëria ka dështuar në sigurinë ushqimore, ndërkohë që më herët e quanin sukses.”- u shpreh ai.