
Ish-deputeti Ervin Salianji ka vijuar turin e takimeve me bazën e Partisë Demokratike, duke u ndalur në Lezhë, ku mbajti një fjalim kritik dhe thirrës për reflektim të brendshëm në radhët e opozitës.
Ai vlerësoi kontributin e demokratëve të Lezhës, duke theksuar se baza dhe strukturat kanë mbajtur gjallë PD-në dhe frymën e shpresës gjatë viteve.
Salianji ngriti shqetësime mbi arsyet pse PD vijon të mbetet në opozitë pavarësisht skandaleve të qeverisë, duke kërkuar që humbjet zgjedhore të diskutohen hapur dhe të përcaktohen përgjegjësitë.
Ai vuri në dukje problematikat në hartimin e listave zgjedhore dhe faktin që, sipas tij, “shpesh promovohen humbësit, ndërsa demokratët aktivë mbeten të anashkaluar”.
Sipas tij, PD nuk mund të ecë përpara nëse nuk çlirohet potenciali i demokratëve dhe nëse vijon politika e justifikimeve.
Në këtë kontekst, ai ngriti pyetjen: “Kush e ka fajin për vjedhjen e zgjedhjeve?!” duke kërkuar një analizë të sinqertë dhe të thelluar brenda partisë.
Gjatë fjalës së tij, Salianji u ndal edhe te lidershipi aktual i PD-së, të cilin e kritikoi për largim nga baza.
“E shohim si 5 fantastikët që rrinë në lidershipin e PD nuk dëgjojnë shqetësimet e demokratëve. Shqetësim nuk është demokrati i thjeshtë, por lidershipi që nuk i dëgjon demokratët. Shqetësim nuk janë idetë tona, por mungesa e ideve të tyre që po braktisin demokratët.”- u shpreh ai.
Ai vijoi me një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj drejtuesve të partisë.
“Çfarë është ky lidership që kërkon të bëhet tigër me demokratët dhe mace përballë qeverisë?”
Duke theksuar vendosmërinë e anëtarësisë, Salianji shtoi se “demokratët janë të fortë dhe nuk ka forcë që ndalon bashkimin e tyre”.