Vendosni fjalën kyçe....

Bessent: SHBA-së i duhet Groenlanda për shkak të “dobësisë europiane”


Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se “dobësia europiane” e bën të domosdoshme që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Groenlandës për stabilitetin global, duke ndezur më tej debatin mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë.

Duke folur në programin Meet the Press të NBC-së, Bessent tha se marrja e territorit arktik – i administruar nga Danimarka, është thelbësore në “lojën gjeopolitike të shahut” mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, përcjell Reuters.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi Presidenti Donald Trump kërcënoi me tarifa ndaj vendeve të BE-së që kundërshtojnë nismën amerikane, përfshirë Danimarkën, një aleate historike e Uashingtonit.

“Ne jemi vendi më i fuqishëm në botë. Europianët projektojnë dobësi. Shtetet e Bashkuara projektojnë forcë,” deklaroi Bessent.

Ai shtoi se beson që europianët “në fund do të binden” se kontrolli amerikan mbi Groenlandën është “më i miri për Groenlandën, për Europën dhe për Shtetet e Bashkuara”.

Dyshimet për mënyrën se si administrata Trump synon të avancojë planin janë shtuar.

Senator Rand Paul, kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Senat, e quajti “qesharake” çdo përpjekje për të përdorur kompetencat emergjente për marrjen e Groenlandës.

“Tani po shpallim emergjenca për të parandaluar emergjenca?” u shpreh ai, duke theksuar kundërshtimin e tij të hershëm ndaj ndërhyrjeve të forta amerikane jashtë vendit.

Senatori demokrat Tim Kaine tha se komisioni mund të shtyjë përpara një rezolutë për kufizimin e kompetencave ushtarake të presidentit ose për të sfiduar përdorimin e tarifave.

Kritika erdhi edhe nga brenda Partisë Republikane.

Kongresmeni Mike Turner paralajmëroi në Face the Nation se përdorimi i tarifave si presion rrezikon marrëdhëniet me aleatët e NATO-s.

“Kjo nuk është The Art of the Deal. Kjo i ngjan më shumë The Dating Game,” tha ai, duke nënvizuar se retorika e Trump-it nuk është gjuhë për partneritete strategjike.

Në krahun tjetër, senatori republikan John Cornyn e mbrojti presidentin, duke thënë se Trump përdor “paqartësi strategjike” për të tërhequr vëmendjen dhe se gjithsesi “ka një marrëveshje për t’u bërë”.

Burimet natyrore të Groenlandës në qendër të debatit

Groenlanda ka rezerva të mëdha mineralesh kritike, një faktor që disa ligjvënës amerikanë e shohin si motivim real.

Senatori Ted Cruz tha se territori ka “përfitime të jashtëzakonshme ekonomike” dhe se pozicioni i tij gjeostrategjik e bën blerjen “në interes mbizotërues të SHBA-së”.

Në anën tjetër, senatori demokrat Chris Van Hollen akuzoi Trump-in për manipulim të opinionit publik.

“Presidenti po gënjen amerikanët kur thotë se kjo lidhet me sigurinë. Ai interesohet vetëm për burimet natyrore,” deklaroi ai për ABC News.

Ndërkohë, ndërsa tensionet rriten, anijet daneze dhe trupat europiane vazhdojnë operacionet në ujërat e Groenlandës, ndërsa BE-ja dhe vendet nordike kundërshtojnë fuqishëm çdo përpjekje për ta shkëputur territorin nga Danimarka.