
Kanë hyrë në ditën e shtatë kërkimet për 30-vjeçarin Jurgen Karaj, i cili u zhduk pas një aksidenti automobilistik të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 10 janarit, kur mjeti ku ai udhëtonte përfundoi në përroin e fshatit Dars.
Karaj ishte pasagjer në automjetin e drejtuar nga 24-vjeçari Andi Losha, i cili arriti të mbijetojë, ndërsa për 30-vjeçarin nuk ka ende asnjë gjurmë. Dyshohet se ai është marrë nga rrjedha e përroit dhe ka përfunduar në lumin Mat.
Polumbarët e RENEA-s, në bashkëpunim me struktura të shumta të Policisë së Shtetit dhe institucione të tjera, vijojnë kërkimet intensive përgjatë shtratit të lumit Mat, duke krehur zonën nga të dyja anët.
Pas ngjarjes, 24-vjeçari Andi Losha u arrestua nga policia, pasi u largua nga vendngjarja duke e lënë mikun e tij, ndërsa nga verifikimet rezultoi se ai drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, në operacionin e kërkimit janë angazhuar polumbarët e RENEA-s, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forca e Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Policisë së Dibrës dhe Komisariatit Mat, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe vullnetarë e familjarë.
Deri më tani, kërkimet nuk kanë dhënë rezultat, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se operacioni po vijon me intensitet dhe pa ndërprerje për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit.