Vendosni fjalën kyçe....

Rama propozon grup pune të përbashkët me pushtetin vendor për zgjidhjen e problematikave



Kryeministri Edi Rama ka propozuar krijimin e një grupi të përbashkët pune mes qeverisë dhe pushtetit vendor, me synim trajtimin dhe sistemimin e problematikave të ndryshme që lidhen si me aspektin rregullativ, ashtu edhe me çështje të tjera të evidentuara në nivel lokal.

Sipas Ramës, ky grup pune do të shërbejë për të adresuar në mënyrë të koordinuar problemet ekzistuese dhe për t’i “futur në vijë” ato, në bashkëpunim mes institucioneve qendrore dhe atyre vendore.

“Koha të krijojmë një grup pune të përbashkët mes qeverisë dhe pushtetin vendor për të trajtuar të gjitha problemet e për t’i futur në vijë qoftë në aspektin rregullativ, qoftë në aspektin e problematikave të natyrave të ndryshme që e shihni të arsyeshme të trajtohen,” u shpreh kryeministri.

Ai propozoi që drejtimi i këtij grupi t’i besohet Ministrit të Pushtetit Vendor, ndërsa pjesë e tij të jenë edhe ministrat e Ekonomisë, Kulturës dhe Mjedisit. Nga ana e pushtetit vendor, në grupin e punës pritet të përfshihen kryetarët e bashkive Lezhë, Maliq, Himarë, Shkodër, Durrës dhe Roskovec.

Sipas kryeministrit, bashkëpunimi i strukturuar mes qeverisë dhe bashkive është i domosdoshëm për të përballuar në mënyrë më efikase sfidat që hasen në nivel lokal dhe për të garantuar zgjidhje të qëndrueshme.