
Qindra qytetarë janë mbledhur të shtunën në kryeqytetin danez, Kopenhagë, në një protestë në mbështetje të Groenlandës, mes insistimit të presidentit amerikan Donald Trump se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e ishullit vetëqeverisës, përcjell Euronews.
Demonstruesit valëvitën flamuj të Groenlandës dhe mbanin pankarta me mesazhe kundër Trump, si “American here: No means No”, “Unite for freedom”, “Make America smart again” dhe “Hands off”, disa prej tyre të shoqëruara me flamuj danezë dhe groenlandezë.
Protesta vjen në një moment kur një delegacion dypartiak i Kongresit amerikan ka zhvilluar vizita për të siguruar Danimarkën dhe Groenlandën për mbështetjen e SHBA-së, pas deklaratave të Trump se mund të ndëshkojë vendet që nuk mbështesin idenë e marrjes nën kontroll të ishullit strategjik të Arktikut, përmes tarifave tregtare.
Groenlanda, e cila gëzon autonomi të gjerë, mbetet pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, ndërsa deklaratat e Trump kanë ngjallur reagime të forta politike dhe qytetare në Europë.