
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje që autoritetet europiane të hetojnë marrëveshjen mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministrit të Jashtëm të BE-së, Frederica Mogherini, për kampusin e Kolegjit Europian në Tiranë.
Berisha akuzon se tokë e përcaktuar për Kampusin e Universitetit të Tiranës është marrë në mënyrë sekrete nga Rama dhe Mogherini, duke e krahasuar aferën me atë të Bryzhit, por me një madhësi 7-8 herë më të madhe.
“Frederica Mogherini ka një marrëveshje sekrete me Ramën për kampusin e Kolegjit Europian, të cilën Edi Rama e mban sekret dhe nuk ja dha ndonjëherë Parlamentit. Historia e turpshme e korrupsionit Rama-Mogherini duhet të sqarohet në gjykatë”, deklaroi Berisha, duke bërë thirrje për hetim nga OLAF, EuroJust dhe Prokuroria Publike Europiane.
Ai paralajmëroi se pa një hetim të plotë nuk do të pranohet asnjë veprim i mëtejshëm në lidhje me tokën e studentëve të Universitetit të Tiranës.