
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim online me qytetarët, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama për uzurpim të institucioneve dhe tentativë për kontroll të drejtësisë dhe Parlamentit.
Berisha deklaroi se zhvillimet e fundit “faktojnë degradimin total të narko-shtetit” dhe cilësoi Ramën si kreun e një organizate kriminale që synon të kontrollojë çdo qelizë të pushtetit. Ai akuzoi ndërhyrje në sistemet e SPAK dhe përgatitje të ligjeve me procedura të përshpejtuara për të bllokuar hetimet penale ndaj qeverisë dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Sipas tij, mazhoranca po përpiqet të kufizojë hapësirat minimale të opozitës në Parlament, duke penguar interpelancat, komisionet hetimore dhe të drejtat kushtetuese.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë, duke theksuar se:
“Fjala tani është vetëm e qytetarëve, të cilët duhet të ngrihen për të shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim.”
Ai deklaroi se PD dhe aleatët e saj synojnë një “betejë përfundimtare” për largimin e asaj që e cilësoi si qeverisje e narko-shtetit dhe vendosjen e një qeverie teknike me dy objektiva kryesore: reformën zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira, si dhe reformën territoriale dhe mbajtjen e zgjedhjeve vendore.
Berisha përfundoi duke siguruar se opozita do të kërkojë heqjen dorë nga çdo formë bllokimi ndaj veprimeve të sistemit të drejtësisë.