
Kryeministri Rama, zhvillon sot në orën 10:00 një mbledhje të zgjeruar me grupin parlamentar socialist dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare.
Mbledhja do të ketë në fokus një analizë të detajuar të veprimtarisë së grupit parlamentar në Kuvend, si dhe vlerësimin e performancës së secilit komision sektorial. Në hapje pritet fjala e Kryeministrit Rama, e ndjekur nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Takimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm politik, ku priten sinjale të reja nga kreu i qeverisë lidhur me procesin e integrimit europian dhe përshpejtimin e reformave në gjysmën e dytë të mandatit qeverisës.
Më pas, drejtuesit e komisioneve parlamentare do të paraqesin raportet e punës, secili me nga 10 minuta në dispozicion, ndërsa diskutimet do të jenë të kufizuara në maksimum dy minuta për çdo folës. Mes emrave që do të raportojnë janë Milva Ekonomi, Ulsi Manja, Bledar Çuçi, Blendi Klosi, Anila Denaj, Evis Kushi, Eduard Shalsi, Iris Luarasi, Erion Malaj, Igli Hasani, Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri dhe Arbjan Mazniku.
Një pikë e rëndësishme e axhendës është edhe raporti mbi pjesëmarrjen e deputetëve në seancat plenare, komisionet parlamentare dhe mbledhjet e grupit, i cili do të prezantohet nga Sekretari i Grupit dhe pritet të evidentojë mungesat dhe nivelin e angazhimit të ligjvënësve.
Mbledhja do të përmbyllet me konkluzionet e Kryetarit të Grupit Parlamentar, Taulant Balla, dhe fjalën përfundimtare të Kryeministrit Edi Rama.