Vendosni fjalën kyçe....

Rama mbledh Grupin Parlamentar të PS-së: Brenda 2 vitesh duhet të përmbushim kriteret për integrimin në BE


Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një mbledhje me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave, e cila pritet të përfundojë rreth orës 15:00. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se Shqipëria synon të përmbushë brenda dy viteve kushtet për mbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, sipas planit të dakordësuar me BE-në.

Ai theksoi se ende mungon një kuptim i plotë, edhe brenda PS-së, mbi barrën dhe sfidat që sjell procesi i negociatave dhe integrimi në tregun europian prej 450 milionë banorësh. 

“Prej vetëm 2 vitesh, Shqipëria të përmbushë të gjitha kushtet për të mbyllur negociatat e anëtarësimit sikundër e kemi të qartë nga plani që kemi në tryezë i dakordësuar me BE, dhe sikundër e kemi bërë të qartë edhe për opinionin publik.

Akoma sot edhe brenda grupit, lërë pastaj brenda partisë, nuk ka një kuptim të qartë për çfarë do të thotë në ;pikëpamje të sfidës dhe barrës së detyrimeve përmbushja e kushteve për të dalë me sukses nga procesi i negociatave dhe pastaj përmbushja e kushteve për të përballur përfshirjen në një realitet të ri siç është realiteti i një tregu prej 450 mln njerëzish, ku Shqipëria e integruar do jetë një pikë uji në oqean. Sfida për të gjithë sektorin prodhues dhe për institucionet do jetë e shumëfishtë”, tha Rama.