Vendosni fjalën kyçe....

Porsche përballet me shitjen më të dobët që prej vitit 2009


Prodhuesi gjerman i makinave sportive Porsche ka regjistruar rënien më të madhe vjetore të shitjeve që nga viti 2009, duke reflektuar presionin e vazhdueshëm nga kërkesa e dobët dhe konkurrenca e fortë në tregun kinez.

Gjatë vitit 2025, kompania dërgoi gjithsej 279,449 automjete në mbarë botën, një rënie prej 10 për qind krahasuar me vitin 2024, shifra më e dobët vjetore që prej krizës financiare globale, kur shitjet e Porsche ranë me 24 për qind brenda një viti. Performanca negative e vendos Porsche në të njëjtën linjë me markat e tjera premium gjermane, si Audi dhe Mercedes-Benz, të cilat gjithashtu janë përballur me vështirësi në Kinë.

Gjatë vitit të kaluar, kompania u fokusua sërish te modelet me djegie të brendshme, të cilat ofrojnë marzhe më të larta fitimi, dhe shtyu lançimin e disa automjeteve plotësisht elektrike për shkak të ngadalësimit të kërkesës. Ky vendim i kushtoi Porsche rreth 1.8 miliardë euro në fitime të munguara.

Në Kinë, shitjet ranë me 26 për qind, të ndikuara nga kushtet e vështira në segmentin e luksit dhe konkurrenca e ashpër nga prodhuesit e automjeteve elektrike. Porsche njoftoi se po redukton rrjetin e saj të shitësve në këtë treg dhe performoi më dobët se rivalët BMW dhe Mercedes, të cilët shënuan rënie më të kufizuara të shitjeve përkatësisht me 12.5 dhe 19 për qind gjatë vitit 2025. Pas publikimit të të dhënave, aksionet e kompanisë ranë me 1.3 për qind.

Në Evropë, Porsche raportoi rënie të ndjeshme të shitjeve, me një ulje prej 16 për qind në Gjermani dhe 13 për qind në pjesën tjetër të kontinentit. Kompania ia atribuoi këtë tkurrje mungesave në furnizim për modelet me djegie të brendshme 718 dhe Macan, si pasojë e rregulloreve të reja të Bashkimit Evropian për sigurinë kibernetike.

Këto rregulla, që hynë në fuqi në korrik 2024, detyruan prodhuesit të përshtasin sistemet softuerike të automjeteve të tyre, duke bërë që versioni me motor me djegie i modelit Macan, makina më e shitur e Porsche, të mos ishte më i disponueshëm në vitin 2025, ndërsa viti 2024 kishte krijuar një bazë më të lartë krahasimi.

Në kontrast me Evropën dhe Kinën, Porsche shfaqi qëndrueshmëri më të madhe në Amerikën e Veriut, ku shitjet mbetën të pandryshuara krahasuar me vitin e kaluar, shkruan Reuters.

Kjo performancë ishte më e mirë se ajo e Mercedes dhe Audi, të cilat shënuan rënie prej 12 për qind në të njëjtin treg. Analistët vlerësojnë se Porsche mund të ketë përfituar nga një rritje e përkohshme e regjistrimeve të inventarit në SHBA, e nxitur nga përpjekjet për të amortizuar ndikimin e tarifave doganore. Ashtu si Audi, Porsche nuk zotëron fabrika prodhimi në Shtetet e Bashkuara, çka e ekspozon ndaj tarifave amerikane, të cilat pritej t’i kushtonin kompanisë rreth 700 milionë euro gjatë vitit 2025.

Sa i përket tranzicionit drejt elektrifikimit, Porsche bëri të ditur se 22.2 për qind e dërgesave globale gjatë vitit 2025 ishin automjete plotësisht elektrike, ndërsa 12.1 për qind ishin modele hibride plug-in. Kompania theksoi se kjo përqindje e vendos pjesën e automjeteve elektrike në kufirin e sipërm të objektivit të saj prej 20 deri në 22 për qind për vitin 2025.